Një gjakovare 20-vjeçare e cila u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nën dyshimin se ka koronavirus, doli se gjendja e saj është e mirë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express doktori Hilmi Shala, drejtor i Spitalit Rajonal të Gjakovës.

“Pacientja është referuar nga kujdesi primar në Spitalin e Gjakovës, me shenja të gjendjes gripoze. Mjeku kujdestar në bazë të anamnezës dhe shenjave e ka referuar për në Kliniken Infektivë në QKUK për teste. Nuk ka asgjë të vërtetë në ato që thuhen në portale”, ka thënë Shala .

Sipas infektologëve të spitalit të Gjakovës, vajza ka shenja të gripit njëjtë si pacientët e tjerë që referohen.

Pak më parë u raportua në media se një vajzë nga Gjakova, 20-vjeçare, është nisur për QKUK nën dyshimin se është prekur nga koronavirusi.

Kujtojmë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës në një konferencë ka thënë se ende nuk është konfirmuar asnjë rast në Kosovë.

Gjatë orëve të para të mbrëmjes në Kliniken Infektive të QKUK’së janë gjashtë persona për t’i bërë testet për koronavirus.

E deri më tash rreth 100 persona janë dyshuar dhe kanë kryer testet, por të gjithë kanë rezultuar negativ, që do të thotë në Kosove ende nuk ka ndonjë rast të konfirmuar me koronavirus.

 

MUND TË JU PËLQEJNË