Marrëveshja ndërmjet Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe LDK-së për formimin e qeverisë së re, ka hyrë në një fazë kritike, që mund ta qojë vendin në zgjedhje të reja, shkruan “Kosovarja”.

Të dy partitë mbrëmë janë përplasur, duke akuzuar njëra-tjetrën për bllokim të bisedimeve në pikën kontestuese për presidentin e vendit, e që duhet të vjen në mars të vitit 2021.

Në fakt, mes dy partive që pritej të arrinin shpejt marrëveshjen për qeverisje të vendit, kanë shkuar punët keq edhe në përzgjedhjen e ministrive.

Përveç presidentit, shtizat janë thyer edhe për Ministrinë e MPB-së, të cilin “Vetëvendosja” e do me çdo kusht, për të sjellë reforma.

E, në fakt, reformat në MPB Lëvizja “Vetëvendosje” i shikon përmes ndryshimit të kuadrove, që i cilëson si të SHIK-ut në kreun e policisë së Kosovës.

Përplasjet mes dy partive kanë kaluar me zhurmë në të gjitha mediet e Kosovës dhe më gjerë, duke i dhënë hapësirë edhe Ministrisë së Drejtësisë, që e kërkon “Vetëvendosja”.

Ka informacione se VV është pajtuar që LDK-ja të zgjedhë e para. Por, kur ata kanë kërkuar MPB-në, Lëvizja “Vetëvendosje” nuk është pajtuar!

Palët janë betonuar në qëndrimet e tyre të prera dhe janë dhënë disa variante të mundshme, si relaksim për zgjidhje të ngërçit, por as kjo nuk i ka ndezur turbinat e ecjes përpara, drejt gjetjes së një zgjidhje.

Nuk ka qenë e qartë gjatë ditës së djeshme nëse partitë në marrëveshje do të lëvizin, duke lëshuar pe për kalimin e kryeministrit te LDK-ja, propozim që ka ardhur nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu dhe i kundërshtuar menjëherë nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Sepse, Lëvizja “Vetëvendosje” nuk pranon asgjë më pak se kryeministrin dhe digasterët ku, sipas tyre, do të ndodhin reformat e shtetit, bile as postin e presidentit, përderisa Kushtetuta e qartëson se partisë së parë i takon edhe kryeparlamentari.

Në rrethanat që janë krijuar mes partnerëve në bisedime, Lëvizja “Vetëvendosje” kërkon ministritë qendrore për reforma, ndërsa LDK-së do i takonin ministria e arsimit, e shëndetësisë dhe të tjera…

Dhe, duke i parë përplasjet aktuale, mbrëmë është lënë të kuptohet se mund të mos arrihet fare marrëveshje mes dy partive për formimin e qeverisë së re.

Ndërhyrja e ambasadave në Prishtinë është shumë e rëndësishme, nëse shikohet përvoja e deritashme, ku asnjëherë nuk është arritur asnjë formim qeverie pa ndërhyrjen diplomatike amerikane, të vendosur në Kosovë.

Të dhënat okulare tregojnë se Kurti-Mustafa, janë ndarë nga takimi i fundit, duke premtuar moslëvizje nga kërkesat për digastere dhe postin e presidentit.

VV-ja ka akuzuar LDK-në se po e kërkon presidentin, pa e treguar emrin e tij dhe partia e Kurtit nuk do të pranonte deponimin e nënshkrimit në letër blanko, për një president anonim që mund të vendoset kurdo qoftë, pa e pasur të qartë kush është ai.

Ka ndodhur edhe një risi sa i përket konfirmimit për vija të kuqe qeverisëse: Nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë për herë të parë se nëse dështon marrëveshja me LDK-në, partia e tij do të kërkojë zgjidhje me parti tjera për të formuar qeverinë.

Por, nëse Kurti-Mustafa nuk merren vesh,VV për të bërë qeverinë duhet, patjetër, marrëveshje me PDK-në! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË