Gjashtë jetimët e familjes Abazi, shumë shpejt pritet të hyjnë në shtëpitë e tyre të reja. Ndërtimin e tyre do ta mundësojë hoxha i Tiranës Elvis Naçi.

Punimet parashihet të nisin të shtunën. Ndërkohë e pamja për dy vëllezërit Isa e Shemsedin Abazi që humbën jetën në tërmetin që e goditi Shqipërinë, në 26 nëntorin e këtij viti, po vazhdon ende.

Express ka qëndruar sot në shtëpinë e tashmë të ndjerëve dhe ju sjellë rrëfimin nga atje.

Pranë shtëpisë dykatëshe të Isa Abazit, në fshatin Livoç të Gjilanit gjenden disa pajisje të veturave. Ato, tashmë i ndjeri, për muaj me radhë i kishte grumbulluar në Shqipëri për një arsye të vetme – t’i shes pastaj në garazhet që rregullojnë vetura.

Këtë punë, Isa Abazi bashkë me vëllain e tij, Shemsedinin, po e bënin që disa vite. Me paratë të cilat i fitonin nga kjo punë, këta dy vëllezër mbanin familjet.

Por, ato pajisje tash kanë mbetur ashtu- të paprekura.

Të dy vëllezërit gjetën vdekjen pas tërmetit që e goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 tetorit të këtij viti derisa po qëndronin në njërin nga hotelet e Durrësit. Ata u varrosën një ditë pas, në varrezat e fshatit Livoç. Familjet e të ndjerëve jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Ishin me dhjetëra njerëz që sot ia kishin mësyrë dyerve të shtëpisë së dy vëllezërve që gjetën vdekjen nga tërmeti në Durrës. Shumë nga ta ofronin ndihma për familjet e të ndjerëve.

Njëri nga familjarët e Shemsedinit dhe Isa Abazit, tregoi për Express, se qytetarët në masë të madhe janë duke i dalë në ndihmë këtyre familjeve.

Por në ndihmë për këto familje tashmë është vënë hoxha nga Shqipëria, Elvic Naçi. Ai tashmë do ta ndërtojë nga fillimi shtëpinë e prindërve të dy vëllezërve të ndjerë si dhe do t’i riparojë të dy shtëpitë e Isa e Shemsedin Abazit.

Punimet do të nisin porsa të përfundojë e pamja për këta vëllezër.

Kështu deklaruan familjarët e të ndjerëve.

“Shtëpitë na ka thanë Elvis Naçi se do të na i ndërtojë. Sot ishin këtu ata ekspertët për me pa se si do të fillojnë ndërtimet dhe kur. Na thanë që porsa të përfundojë e pamja do t’i fillojnë ndërtimet. E falënderojmë përzemërsisht hoxhën e Tiranës”, thonë nga familja.

Tërmeti i fuqishëm prej 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ishte fatal për dy vëllezërit të cilët nuk arritën t’i mbijetojnë shembjes së hotelit në të cilin gjendeshin.

MUND TË JU PËLQEJNË