Qeveritarët e porsaardhur në pushtet, e kanë filluar me inate qeverisjen dhe kjo është e padobishme për popullin dhe për vetë qeverinë Kurti, shkruan “Kosovarja”.

Vjosa Osmani e hoqi foton e presidentit Hashim Thaçi, për t’i treguar PDK-së se i erdhi dita të hakmerret për atë që kishte bërë PDK-ja kur e hoqi nga holli i Parlamentit foton e Rugovës!

Heqja e fotove çka u duhet pushtetarëve?
Që në ditën e parë të punës filluan të qeverisin me ndërskamca dhe e nisën qeverisjen me revanshizëm!

Doli, pastaj, një tjetër marifet, që i bie sikur po do dikush ta rehabilitojë Albin Kurtin, duke e bërë pjesëtar të luftës së UÇK-së!

Rexhep Selimi i VV-së tha se Albin Kurti paskësh qenë në luftë, por Sylejman Selimi e paska kthyer në Prishtinë. E, të tjera…

Figurën e Albin Kurtit për të kaluarën e tij, sekretar i zyrës së Adem Demaçit për UÇK-në në Prishtinë, që ishte njëfarë zëdhënësi, si dhe për burgosjen dhe mbrojtjen stoike në Gjykatën e Beogradit, duke shpërfillur tërësisht sistemin e drejtësisë së Serbisë së Millosheviqit, e dinë shqiptarët.

E di edhe Serbia, por e dinë edhe ndërkombëtarët në tërësi.

Por, kujt i duhet tash që ta hapë një histori tjetër të kryeministrit aktual?

Ka qenë, apo s’ka qenë në luftë? Prej vitit 1998 e deri më tani janë 22 vjet dhe, nëse ishte dashur dikush të merrej me këtë histori, pse nuk e tha deri më tash, por u hap kjo temë pas 22 vjetësh!

Albin Kurtit, besohet, kjo gjë nuk i bënë nderë tash. Ai ka historinë e tij, ndërsa për atë që është shpifur e shpifet kundër tij, me apo të pavërteta, do të shihet.

Populli e ka votuar si një njeri të ndryshimit pozitiv, të pa korruptuar, me duar të pastra, me një shtëpi të përbashkët familjare dhe pa pasuri të veçantë.

Andaj, mbetët të shihet si do të del nga politika dhe me çfarë pasurie, që mund të bëhet nga përfitimi i ligjshëm i pagës adekuate…

Kurti, megjithatë, është parë si alternativë për një Kosovë të re, që i shërben qytetarit dhe shtetit.

Megjithatë, është herët të flitet për suksese a dështime…

Sidoqoftë, dy figurat e para që erdhën në krye të shtetit, Albin Kurti e Vjosa Osmani, nuk do të bëhen më të mëdhenj se që janë, duke hequr foton e presidentit dhe duke u bërë komandantë pas 23 vjetësh…

Nuk do të bëhen as më të dashur për masën popullore nëse merren me foto e me dilema se ishte a s’ishte në luftë Albin Kurti, e priti apo s’e priti Rexhep Selimi, e pranoi apo s’e pranoi Sylejman Selimi në luftë.

Qytetarët e votuan për ndryshim të gjendjes aktuale në Kosovën e tollovitur nga komandantët. Dhe, nëse Kurti ka ardhur si “komandant” në krye të qeverisë, s’ka për ta hequr tollovitjen as ky! Safet Krivaça
/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË