Dje ka dhënë dorëheqje shefi i AKI-së, z. Shpend Maxhuni. Para dhjetë ditësh nga Postë-telekomi i Kosovës iku shërbimi i marketingut, shkruan “Kosovarja”.

Iku edhe një pjesë e homologimit të automjeteve, e që thuhet se u përket veturave të reja, sa për sy e faqe…

Megjithatë, pritet të shuhet i tërë sistemi i homologimit, e që ishte hiç më pak se një monopol zhvatjete, po aq sa edhe kartonët e gjelbër të Pacollëve, për të cilët në hyrje të Kosovës kurbetxhinjtë paguajnë para për diçka që nuk u shërben, ama, bash asgjë!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po kalon në objektin e ri, meqë, siç thuhet në opinion, presidenti nuk do të qëndrojë nën një kulm me Albin Kurtin, apo afër tij!

Sidoqoftë, në shtetin 20-vjeçar të pasluftës, duan të ikin shumë e shumë monopolistë autokracie diktatoriale, e që e kanë zhvatur popullin me ligje të kaubojve, duke vënë edhe dogana private përballë doganave të shtetit!

Po ashtu, duke avancuar nëpër pozita shefa e shefica, nipa e dajë, me shkollë e pa shkollë!

Paralajmërimi i Albin Kurtit për reforma të thella i ka trazuar të gjithë fajtorët. Prandaj, është normale që kanë filluar dorëheqjet e shefave të emëruar pa kritere…

Në shumë ministri të Qeverisë së Kosovës njerëzit janë punësuar si në “bahçe të babës” dhe i njëjti sistem është përcjellë edhe në shumë qeverisje komunale, sipas fuqisë partiake!

Andaj, si duket, ka ardhur koha që qytetarët të çlirohen nga politika e “komandantëve ekonomikë”, të cilët i hasim në të gjitha poret institucionale…

Dy betejat e para të Albin Kurtit…
Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, ka para vetes dy beteja:

Një, brenda Kosovës ta forcojë shtetin ligjor;
Dy, të qeverisë konform premtimit dhe politikës së jashtme për ta ruajtur integritetin territorial të Kosovës nga dialogu me Serbinë.

Dorën në zemër, për betejën e parë, Albin Kurti, nuk e ka ortakun qeveritar bash të vendosur për të bërë reforma…

Mirëpo, klasa politike e LDK-së, e që pritet të vjen në qeverisje të Kurtit, është e një fryme më të re se LDK-istët para tyre.

Prandaj, me një inercion të kryeministrit, mund ta qojnë në fund spastrimin institucional nga monopolistët sektorialë dhe partiakë të shefave të shtetit.

Sepse, në Kosovë asnjë projekt kapital nuk është realizuar pa kaluar nëpër zyrat e shefave të mëdhenj partiakë në pushtet!

Ndërkaq, sa e sa investitorë dhe me miliona janë detyruar të heqin dorë nga investimi në Kosovë, shkaku i ndërhyrjeve të sekserëve të lidhur me politikën!

Andaj, monopolistët duhet të spastrohen nga shteti. Shumë institucione e asociacione duhet shuar, sepse më nuk kanë kuptim e as logjikë të funksionojnë, meqë shteti tashmë e ka shitur pronën shoqërore!

E, sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova i ka aleatët që pritet ta mbështesin. Në të kundërtën, në Ballkan forcohet Serbia dhe Rusia!

Andaj, sa më shumë që po afrohet dita e instalimit të Albin Kurtit në krye të qeverisë, aq më shumë pritet të ofrojnë dorëheqje nga institucionet e Kosovës individët që në ato poste janë vendosur nga fryma politikës ditore!

Në fund, shtrohet pyetja: Kush e ka radhën të jep dorëheqje? Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË