Kosova po mbetet pa mjekë dhe infermierë dita-ditës. Në konkurset që po hapen nëpër komuna, të rrallë janë ata që aplikojnë për punësim. Shumica e tyre tashmë kanë aplikuar në shtete të tjera për punësim, e të tjerë janë në kurse të gjuhës gjermane për të ikur jashtë vendit. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, mbi 200 mjekë kanë marrë vërtetime për punë jashtë vendit. Arsye për ikjen e tyre po del të jenë edhe kushtet e punës dhe pagat. Ndërkohë, aktualisht në gjithë vendin janë rreth 600 mjekë të papunë, derisa në tri vitet e fundit në mjekësi kanë diplomuar afër 2 mijë studentë.

Konkurset për punësim nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare në Klinë po dështojnë tash e dy muaj. Pavarësisht se janë katër vende të lira të punës, askush nuk po aplikon.

Konkurset e dështuara pritet ta përcjellin edhe gjatë komunën e udhëhequr nga Zenun Elezaj.

Arsye për këtë është ikja e mjekëve jashtë vendit. Madje, edhe ata mjekë që i kanë të punësuar aktualisht janë në përfundim të kurseve, derisa të tjerë kanë bërë kërkesa për pushim pa pagesë.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Klinës, Hekuran Sejdiu, thotë se askush nuk po aplikon në konkurset që po i hapin. Sipas tij, të gjithë po ikin drejt Gjermanisë.

“Kemi mungesë të mjekëve, sidomos të mjekëve të përgjithshëm. Pavarësisht se kemi vende të lira, askush s’po aplikon. Para dy muajve i kemi hap konkurset, por meqenëse kurrkush s’ka apliku kanë dështu. Duhemi me i hap prapë tash, edhe pse nuk e besoj që aplikon najkush sepse krejt po shkojnë në Gjermani. Madje, edhe disa mjekë të ri që janë duke punuar aktualisht kanë bërë kërkesa për pushim pa pagesë për me specializu jashtë vendit. Nevojat tona janë për mjekë të përgjithshëm, mjekë familjarë, pediatër dhe gjinekologë. Asnjë mjekë nuk është i papunë te ne”, deklaron Sejdiu.

Me mungesë të mjekëve po përballet edhe Komuna e Hanit të Elezit.

Në Drejtorinë e Shëndetësisë të kësaj komune deklarojnë se ata kanë mungesë të mjekëve familjarë, stomatologëve, pediatërve dhe gjinekologëve.

Përveç doktorëve, në këtë komunë ankohen se kanë edhe mungesë të infermierëve dhe vozitësve.

“Po fatkeqësisht edhe Komuna e Hanit të Elezit ka mungesë të stafi shëndetësor dhe atë në pozitat (drejtimet) kyçe të implementimit të Mjekësisë Familjare si mjekët familjarë, stomatologët, pediatërit, gjinekologët. E gjithashtu nga kufizimi i stafit për QKMF tonë ne kemi mungesë edhe të stafit tjetër siç janë infermierë dhe vozitës”, thuhet në përgjigjet e tyre drejtuar gazetës.

Kërkesa për mjekë shtesë kanë edhe në Komunën e Drenasit.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiu, thotë se bazuar në numrin e banorëve, 24 doktorë janë të pamjaftueshëm.

Haxhiu thotë se kanë nevojë edhe për gjashtë doktorë familjarë, tre stomatologë dhe 8-10 infermierë.

“Mjekësia familjare mbulohet me gjithsej: 24 doktorë që konsiderojmë se janë të pamjaftueshëm në raport me numrin e popullatës të Komunës së Drenasit, që sipas regjistrimit zyrtar të popullatës, ka rreth 59000 banorë, bazuar në Udhëzimin Administrativ 08/2017 të Ministrisë së Shëndetësisë-Standardeve (1 Dr. në 2000 banorë dhe 1 Dr në raport me 2 infermierë) si dhe kërkesës shtesë (programeve të M.e SH.) që janë obligative për KPSH”, ka deklaruar Haxhiu për Express.

Me staf mjekësor jo të mjaftueshëm përballet edhe Komuna e Ferizajt. Në këtë komunë deklarojnë se këtë çështje e kanë ngritur edhe në nivel ministror.

Udhëheqësi i Sektorit të Shëndetësisë atje, Ibush Bekolli i ka thënë Gazetës Express se Ferizaj ka numër jo të mjaftueshëm të personelit mjekësor dhe atij shëndetësor karshi nevojave ngase numri i punëtorëve është i limituar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për ofrim të shërbimeve shëndetësore, edhe komuna Ferizajt ka numër jo të mjaftueshëm të personelit mjekësor dhe atij shëndetësor karshi nevojave, ngase numri i punëtorëve është i limituar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sidomos kjo rëndohet me hapjen e institucioneve të reja shëndetësore, por vlen të theksojmë se nevojat më të domosdoshme janë për mjekë familjarë në kujdesin primar shëndetësor”, ka deklaruar Bekolli.

Kërkesa për mjekë familjarë, stomatologë dhe infermierë kanë edhe në Komunën e Podujevës.

“QKMF-Podujevë në vazhdimësi ka rritur gamën e shërbimeve, por nga Ministritë kompetente asnjëherë nuk është përcjellë-mbështet me rritje të numrit të stafit të QKMF-së. Kërkesat janë për mjekë konsultativë, mjekë familjarë, mjekë stomatologë, infermierë dhe staf mbështetës administrativ”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi, për Express.

Por, jo të gjitha komunat përballen me këtë problem.

Në Komunën e Gjilanit duket se qëndrojnë më mirë në këtë aspekt. Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili, thotë se qëndrojnë mirë me staf profesional.

“Komuna e Gjilanit këtë vit ka lidhur një kontratë për blerje të shërbimeve shëndetësore për plotësimin e kapaciteteve profesionale në kohëzgjatje prej 3 vitesh, ku kemi angazhuar 5 mjekë në kujdesin parësor shëndetësor, si dhe afro 20 infermier\e”, ka thënë Xhemaili.

I pari i kësaj Drejtorie thotë se gjatë vitit të ardhshëm planifikojnë të shpallin konkurs edhe për plotësimin e dy pozitave të mjekëve familjarë.

“Gjatë vitit të ardhshëm planifikojmë të shpallim konkurs të rregullt për plotësimin e dy pozitave të mjekëve familjare, të cilat janë liruar pas daljes në pension nga ana e mjekëve tashmë të pensionuar. Me këto veprime konsiderojmë që qëndrojmë kryesisht mirë me staf profesional, ku qytetarëve që kanë nevojë për shërbime shëndetësore u ofrohet shërbim cilësor në KPSH në Komunën e Gjilanit”, thuhet në përgjigjet e Xhemajlit drejtuar gazetës.

Problem me mjekë nuk ka as në Komunën e Prizrenit.

Drejtori për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu, i ka thënë Gazetës Express se aktualisht qëndrojnë mirë me mbulueshmëri, por se për ta mbuluar gjithë rrjetin e njësive shëndetësore kanë nevojë për rritje të personelit mjekësor për së paku prej 10 për qind.

“Për ta mbuluar gjithë rrjetin e njësive shëndetësore prej 44 njësive duhet të rritet numri i personelit mjekësor së paku prej 10 % (mjek dhe infermiere). Ne si Komunë për shkak të numrit të kufizuar prej 475 dhe nevojës për personel mjekësor gjatë vitit 2019 kemi bërë blerje të shërbimeve mjekësore me procedura tenderuese dhe tashmë qëndrojmë mirë me mbulueshmëri”, ka deklaruar Shehu.

Mirë me staf mjekësor qëndron edhe Komuna e Pejës.

Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci, i ka thënë Gazetës Express se ata kanë mungesa me staf të mesëm, por shpresojnë që gjatë vitit të ardhshëm ta zgjidhin këtë problem.

“Komuna e Pejës respektivisht Shëndeti Primar sa i përket stafit me mjekë nuk ka mungesë, por mungesa kemi me staf të mesëm në disa sektorë ku presim që gjatë vitit 2020 të rekrutojmë staf të nevojshëm”, thuhet në përgjigjet e Locit.

Ndërkohë, në Dragash thonë se kanë nevojë për një gjinekolog. Drejtoria për Shëndetësi në këtë komunë deklaron se me pjesën tjetër të stafit qëndrojnë mirë.

E pavarësisht se komunat po ankohen për mungesë të tyre, në vend janë rreth 600 mjekë të papunë.

OMK: Mbi 200 mjekë kanë kërkuar vërtetime për punë jashtë vendit

Problematika me mungesë të mjekëve nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare vjen si pasojë e largimit të mjekëve nga vendi. E se mjekët po ikin jashtë Kosovës, kjo dëshmohet edhe nga numri i kërkesave për Certifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale.

Në Odën e Mjekëve të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se që nga viti i kaluar mbi 200 mjekë kanë kërkuar vërtetime për punë jashtë vendit, përkatësisht Certifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale.

“OMK, si organizatë e vetme në Kosovë që mban dhe mirëmban regjistrin e mjekëve në Kosovë, bazuar në statistikat tona ka evidentuar se prej se është funksionalizuar Oda, janar 2018, deri në ditën e sotme, 202 mjekë kanë kërkuar Certifikatë mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale, 110 në vitin 2018 dhe 92 vitin 2019”, kanë deklaruar në këtë organizatë.

Sipas një sondazhi të brendshëm që ka realizuar kjo Odë, arsyeja se pse mjekët po marrin rrugën drejt vendeve të tjera janë mungesa e vendeve të lira të punës dhe avancimi profesional. Përveç tyre, ndikim në ikjen e mjekëve po del të kenë edhe kushtet e punës dhe pagat.

Bazuar në statistikat e Odës së Mjekëve në gjithë vendin janë rreth 600 mjekë të papunë, dhe sipas tyre ankesat e komunave për mungesa të mjekëve janë të pavenda.

“Duke u bazuar në statistikat tona, Kosova ka 576 mjekë të papunë dhe ky numër shumë i lartë për standardet kosovare dhe nuk lë shumë vend për ankesat e komunave tona të cilat ankohen për mungesë të mjekëve! Le të urdhërojnë dhe le t’i punësojnë. Nga këta mjekë, 53 janë specialistë dhe 523 mjekë të përgjithshëm. Problemi me komunat është planifikim jo i mirë për kuadro dhe të përcjella me planifikim buxhetor të dobët dhe jo mungesë kuadrosh në treg”, thuhet në përgjigjet e OMK-së drejtuar Gazetës Express.

OIK: Numri i infermierëve që po e lëshojnë Kosovën po rritet

Përveç mjekëve, nga vendi po ikin edhe infermierët. Një numër jo i vogël i tyre kanë kërkuar vërtetime për të gjetur punë në shtetet e tjera.

Në Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë i kanë thënë Gazetës Express se numri i infermierëve që po aplikojnë për punë jashtë vendit po rritet me kalimin e viteve.

Vetëm gjatë këtij viti, kjo Odë ka lëshuar rreth 30 vërtetime për punë jashtë vendit.

“Duke u bazuar në të dhënat që i kemi nga 1 janar 2019 deri më datën 23 tetor 2019, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë ka lëshuar gjithsej 27 (njëzet e shtatë) vërtetime për punë jashtë vendit. Ndërkaq, gjatë vitit 2018 janë lëshuar gjithsej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vërtetime të tilla, të domosdoshme për punë jashtë vendit”, thuhet në përgjigjet e OIK-ut .

Sipas OIK-ut, këto vërtetime kryesisht kërkohen për Kodin Etik, e ku vërtetohet nëse infermierët gjatë shërbimit të tyre në Kosovë kanë pasur sjellje të keqe etike apo thyerje të Kodit Etik.

Syla: Edhe Kuvajti po kërkon mjekë kosovarë

Ndërkohë, sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në shtetin gjerman janë mbi 400 persona, staf mjekësor nga Kosova, që janë duke punuar si profesionistë mjekësorë.

“Po flitet që numri i stafit mjekësor që ka shku në Gjermani është diku rreth 400. Unë po e pres edhe një konfirmim nga Gjermania për këtë çështje. Sa u përket mjekëve veç këtë vit, të ashtuquajturat vërtetime për etikë e që janë indikacion se mjekët do të shkojnë, janë diku mbi 160 mjekë veç për këtë vit”, ka thënë Syla..

Ai thotë se shumica e këtyre mjekëve që po kërkojnë të shkojnë jashtë Kosovës janë kuadro të reja.

“Shumica këta që po kërkojnë të shkojnë jashtë, janë mjekë të rinj. Kemi edhe që janë të profesionalizuar si specialistë”, thotë Syla.

Sipas tij, nëse ky trend i ikjeve të kuadrove mjekësore nga vendi, atëherë Kosova rrezikon të shkojë në një kolaps shëndetësor.

“Kjo dukuri është duke iu ndodhë shumë shteteve, e Kosova nuk u përjashtua nga kjo punë. Por kur t’ia shtojmë për kokë banori kemi më së paku mjekë në regjion. Atëherë neve pas 10 viteve na pret një situatë kaotike se nuk është lehtë të formohet një doktor”, ka thënë kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Por krahas Gjermanisë që po kërkon mjekë e infermierë, tashmë është edhe një shtet tjetër me ndikim i cili po bën thirrje për rekrutim të stafit mjekësor nga Kosova.

“Përveç Gjermanisë, mjekë po kërkon edhe Kuvajti. Ata tashmë kanë shprehë interesim që të ketë mjekë nga Kosova”, thotë  Syla.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje, dhe për numrin e mjekëve që kanë marrë licencën në tri vitet e fundit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Rreth 2 mijë studentë të diplomuar në mjekësi për tri vjet

Ndryshe, në tri vitet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë kanë diplomuar rreth 2 mijë studentë.

Numri më i madh i të diplomuarve është në drejtimin Fizioterapi dhe Mjekësi e Përgjithshme.

Vetëm gjatë vitit akademik 2018/2019, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme kanë përfunduar studimet 311 studentë, shifër kjo që për tri vitet e fundit shkon në mbi 780 të diplomuar.

Në bazë të të dhënave për të diplomuarit që ka siguruar Gazeta Express nga Fakulteti i Mjekësisë, më së paku të diplomuar ka në drejtimet mami dhe farmaci.

MUND TË JU PËLQEJNË