Rreth 2 mijë e 150 rrugë të emërtuara ka Komuna e Prishtinës.

Sipas komunës, 75 për qind prej tyre kanë emra të burrave, ndërsa vetëm 5 për qind mbajnë emra të grave. Kurse pjesa tjetër përbëhet nga emra vendesh, datash e ngjarjesh.

Numrin e vogël të rrugëve me emra të grave që kanë kontribuar për shoqërinë, në Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës (RrGK) e quajnë diskriminues.

Këshilltarët komunalë vlerësojnë se ka shumë gra që kanë ndihmuar popullin në periudha të ndryshme, të cilat e meritojnë të nderohen përmes emërtimit të rrugëve.

Në Kuvendin Komunal janë dhënë disa herë propozime për emërtime rrugësh, por për to këshilltarët shpesh nuk janë pajtuar ndërmjet vete.

Për të qenë më unikë, ata kanë kërkuar që një komision të merret me emërtime të rrugëve.

Por, pasi komisionit të kaluar i ka skaduar mandati, këshilltarët komunalë do të takohen të martën, për të formuar komisionin e ri.

Në Drejtorinë e Urbanizmit theksojnë se janë në fazën përfundimtare të projektit të adresave dhe formimi i një komisioni të ri, sipas tyre, rrezikon ta kthejë këtë proces në pikën zero.

Bajram Curri, Zyrtar për adresa në Drejtorinë e Urbanizmit, thotë se komisioni i kaluar ka kërkuar propozime nga institucione të ndryshe por nuk kanë ardhur shumë të tilla në adresë të komunës.

Një nga kërkesat e fundit për emërtime të rrugëve u bë në fillim të qershorit në Kuvendin Komunal.

Këshilltarja nga AAK-ja, Syzana Kika, kërkoi që një rrugë të marrë emrin e ish-ministres së Jashtme të Suedisë, Ana Lindt, e cila, sipas Kikajt, ka përkrahur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

MUND TË JU PËLQEJNË