Të ndarë në shumë parti politike, populli ynë, në Kosovë, shpesh ka më shumë inate në partinë kundërshtare sesa në armikun historik, që është Serbia. Mu si tani që e kemi situatën politike mes VV-së dhe LDK-së, duke e zvarritur formimin e qeverisë për interesa partiake, klanore dhe personale, shkruan “Kosovarja”.

Në të gjitha 20 vjetët e pasluftës, Kosova, sa i përket formimit të qeverive, ka lënë shije të hidhur te populli dhe ndërkombëtarët.

Kosova ka parti politike me një pluralizëm të dobët partiak, që pengon pushtetin e një mazhorance në qeverisje, nga e cila do të përjashtoheshin koalicionet dhe grupimet, në të cilat theksohen interesat e qarqeve të caktuara politike.

Kosova duhet ta profilizojë partishmërinë, duke favorizuar edhe partitë e qendrave social-demokrate, që përshtaten me rrethanat tona ekonomike dhe zhvillimore.

Jo të importojnë programe nga shtetet miliardere për t’i zbatuar në këtë fukarallëk shtetëror, që edhe atë pak buxhet që e kemi, së pakut, gjysmën ta vjedhim.

Populli ynë është distancuar nga të informuarit me lajme objektive dhe ka shkuar në informim që distribuon rrjeti i lirë social “Facebooku”.

Populli nuk ka më fuqi të organizohet për protesta gjithë popullore, siç bëheshin dikur…

Populli është lodhur me greva, demonstrata, protesta dhe organizime, si ato që bëheshin kundër regjimit serb dikur.

Tashmë nuk ka logjikë ta bëjë kundër vetvetes!

E, sa i përket standardit, pjesa dërmuese e popullit jeton në skamje! Mbështetjen materiale familjet tona ende e kanë nga mërgata, në vend se shteti ta ngritë standardin jetësor, i cili më shumë merret me asfalte se me standard jetësor!

Andaj, ta lëmë anash asfaltin dhe ta ngritim standardin, duke i rritur pagat, e jo ato të pengohen nga Gjykata Kushtetuese, siç ndodhi ditë më parë!

Secili lider flet për rritje të pagave, e posa të bëhet kryeministër, nuk bën asgjë konkrete në këtë drejtim!

Konkretisht, Albin Kurti thoshte se do të punojë për rritjen e pagave të të punësuarve publikë. E, me të fituar votat, arsyetohet se nuk mund të ndërhyjë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese!

E, kur është puna e marrjes së votave, mu ajo gjykatë as që ekziston për politikanët tanë!

-Tradita e dallimeve
Kur luftohej në Drenicë, në Prishtinë kafeteritë ishin të mbushura me njerëz!

Kur vinin familje të përndjekura nga Drenica, quheshin me lloj-lloj emrash!

Kur protestohej në Prishtinë, mendonim se mu këtu duhet protestuar, meqë qendra intelektuale ndodhej në Prishtinë dhe duhej përkrahur iniciativat për kundërshtim të Serbisë…

Aso kohe përkrahje kishte edhe nga Tirana zyrtare. E, tash janë në ftohje e sipër raportet Prishtinë-Tiranë, shkaku i politikës së Edi Ramës karshi Kosovës!

Mini Shengeni pro-rus është entitet i ri, që po e synojnë Rama dhe Vuçiçi, e që për qëllim ka izolimin e Kosovës, duke e kthyer kontrollin te Serbia!

E, këtë gjë nuk besojmë se nuk e di Edi Rama, se ai e di dreqi ku bën ve, e lëre më këtë punë!

Madje, ai i ofendon gazetarët që i bëjnë pyetje Vuçiçit në Tiranë mbi deklaratat e tij të fundit në dëm të Kosovës, e që lidhen me krimet serbe në Kosovë në vitin 1999!

Andaj, është koha që populli ynë t’u kthehet përsëri demonstratave, si mjete demokratike dhe po qe nevoja edhe për revolucion demokratik.

Të protestojë për dialogun me Serbinë!
Të protestojë për, eventualisht, ndryshimin e kufijve! Të protestojë kundër politikës së Edi Ramës që po i bën dëm Kosovës!
Të protestojë për standard më të mirë jetësor!
Të protestojë kundër korrupsionit!
Të protestojë kundër pranisë së strukturave paralele serbe andej lumit Ibër!

Andaj, populli duhet ta ngritë zërin për gjërat e papërfunduara, të cilat janë në rrugë devijimi.

Sepse, Kosova ende ka procese të papërfunduara të lirisë dhe shtetësisë së saj. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË