Me shumë mundësi, po. Por shërbimet shëndetësore publike mund të ndihmojnë në përcaktimin e shkallës së tij, shkruan The Economist.

Dy janë arsyet që shpjegojnë se përse një sëmundje e re infektive është kaq alarmante. E para është se, në fillim, ajo përhapet në mënyrë shumë të shpejtë. Teksa të dhënat e dhjetra rasteve të infektuara bëhen qindra dhe këto të fundit mijëra, llogaritja e tyre bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke hedhur spekulime rreth një kolapsi të mundshëm të kujdesit shëndetësor, trazirave sociale dhe ekonomike dhe të një pandemie vdekjeprurëse.

Tjetra është krijimi i një pasigurie të lartë. Të dhënat e pakta dhe raportet kontradiktore nënkuptojnë se shkencëtarët nuk mund të përjashtojnë rastin më të keq, dhe kjo i lë hapësirë informacioneve të pabazuara që të “lulëzojnë” duke u përhapur me një shpejtësi marramendëse. Kjo është situata edhe sa i takon koronavirusit të ri, të njohur si 2019-nCoV, i cili ka goditur Kinën. Numri i rasteve të raportuara u rrit nga 282 në 20 Janar në gati 7.800 vetëm nëntë ditë më vonë. Ndërsa numri i katër rasteve të raportuara jashtë territorit të Kinës ka shkuar në 105 në 19 territore.

Dyshimet në lidhje me këtë virys janë të shumta, që nga mënyra sesi ai transmetohet dhe se cilët persona ta infektuar janë ata që nuk mund t’i shpëtojnë dot vdekjes si pasojë e infektimit me këtë virus.

Këto pyetje janë shumë të drejta, siç janë edhe këto të dyja: A do të shndërrohet koronavirusi në një sëmundje globale dhe sa do të jetë numri i personave që do të humbin jetën si pasojë e tij? Edhe pse përgjigjia e duhur ndaj tyre nuk mund të jepet sot për sot, detyra e autoriteteve të shëndetit publik është që ta përshpejtojnë këtë kohë dhe të japin një përgjigje të saktë sa më parë të jetë e mundur. Edhe pse ky virus ka goditur Kinën, ekziston një risk shumë i lartë që ai përhapet në të gjithë botën, madje duke u shndërruar në një infeksion të përsëritur sezonal.

Mund të rezultojë që ai të mos jetë më vdekjeprurës sesa gripi sezonal, por gjithsesi një situatë e tillë nuk mund të mos konsiderohet si alarmante. Në një afat të shkurtër kohor, ai do të godiste ekonominë botërore dhe në varësi të mënyrës sesi do të trajtohet, ai mund të ketë edhe efekte politike edhe në Kinë.

Përhapja e tij filloi në dhjetor dhe ky virus ndoshta e ka origjinën nga lakuriqët dhe më pas kaloi nëpër gjitarë, duke përfunduar në tregun e lagësht të Wuhan-it, ku kafshët e egra ishin në shitje.

Simptomat me të cilat ai shoqërohet i ngjajnë gripit sezonal, por mund të përfshijnë edhe pneumoninë, e cila mund të jetë fatale. Rreth 20% e rasteve të raportuara janë të rënda, dhe kanë nevojë për kujdes spitalor, ndërsa rreth 2% e tyre kanë qenë fatale. Deri më tani, nuk ka asnjë vaksinë ose trajtim antiviral.

Pasiguria më e madhe është se një numër i madh rastesh të infektuara nuk janë rregjistruar si të tilla. Kujdesi shëndetësor parësor është rudimentar në Kinë dhe disa nga të sëmurët ose janë shmangur ose janë larguar nga spitalet të cilat nuk kanë pasur shtretër për t’i akomoduar. Një numër i lartë njerëzish mund të kenë simptoma aq të lehta se nuk e kuptojnë që kanë këtë sëmundje.

Sipas disa akademikëve në Hong Kong, duke qenë se pas 25 janarit numri i personave të prekur i tejkaloi dhjetëra mijëra njerëz, epidemia pritet të arrijë kulmin brenda disa muajve. Nëse kjo do të rezultojë të jetë e vërtetë, atëherë ky virus do të përhapet shumë më shpejt nga sa ishte menduar dhe për këtë arsye ai do të jetë më i vështirë që të izolohet vetëm brenda territorit të Kinës.

Por ai mund të rezultojë gjithashtu në më pak vdekje, sepse numri i tyre duhet të llogaritet edhe në një bazë krahasimore më të gjerë. Kështu, për shembull në vitet 2017-’18, si pasojë e një gripi sezonal, rreth 45 milionë amerikanë u prekën nga simptomat e tij, ndërsa 61, 000 prej tyre vdiqën.

Shkencëtarët kanë filluar punën për të gjetur anti-vaksiën dhe trajtimet që do t’i bëjnë këto infeksione më pak të rënda. Por që ata të përfundojnë punën e tyre në këtë drejtim duhet padyshim një kohë e caktuar, prandaj ndërkohë bota duhet të vazhdojë të mbështetet ende në masat e shëndetit publik. Kjo ka bërë që në Kinë, Wuhani dhe pjesa tjetër e provincës Hubei të shndërrohen në një karantinë të vërtetë.

Shkollat dhe binzeset janë mbyllur. Ekonomia po ecën përpara dhe po mbështetet vetëm në dergimin e mallrave të ndryshme dhe produkteve ushqimore në shtëpi të ndryshme. Shumë ekspertë vlerësojnë përpjekjet e Kinës. Sigurisht që edhe shkencëtarët po e përballojnë më mirë këtë situatë në krahasim me atë të SARS-it në 2003.

Megjithatë, zyrtarët lokalë në Wuhan fillimisht e hodhën poshtë shkencën dhe më pas, kur virusi po përhapej shumë shpejt, e miratuan plotësisht karantinën drakoniane tetë orë pas njoftimit të saj, por fatkeqësisht duke lejuar ndoshta 1 milion njerëz potencialisht të infektuar që të largoheshin nga ky qytet.

Padyshim që rritja e Kinës në tremujorin e parë do të shënojë rënie dhe duke qenë se Kina përbën gati një të pestën e prodhimit në botë, me siguri që rënia e saj do të ndihet dukshëm edhe në rritje globale. Megjithëse ekonomia do të rimëkëmbet kur virusi të zhduket, reputacioni i Partisë Komuniste dhe madje edhe i Xi Jinping-ut mund të ndikohet në mënyrë më të qëndrueshme prej tij.

Partia pretendon se, “e armatosur deri në dhëmbë” me shkencë, ajo është më efikase në qeverisje sesa demokracitë. Por dështimi i saj në kufizimin e këtij virusi vetëm brenda Kinës, tregon krejtësisht të kundërtën. Jashtë Kinës karantina të tilla janë të paimagjinueshme. Kostoja mjekësore dhe ajo ekonomike do të varet nga qeveritë që ngadalësojnë përhapjen e sëmundjes.

Megjithatë bota asnjëherë nuk i është përgjigjur kaq shpejt një virusi si në rastin e 2019-nCoV. Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, virusi mund të bëhet akoma edhe më i madh. Ndërsa njerëzit zhvendosen në habitate të reja, janë më shumë në kontakt me kafshët, zhvendosen në qytete ku popullsia është më e lartë, udhëtojnë gjithnjë e më shumë dhe teska klima ngrohet, përhapja e viruseve të reja do të bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Sipas një vlerësimi të fundit kostoja e tyre është llogaritur në 60 miliardë dollarë amerikanë në vit. Nga SARS, MERS, Nipah, Zika, gripi i derrit meksikan, virusi i Wuhan-it është e keqja më e mirë. Fatkeqësisht, mendohet se ai nuk do të jetë i fundit.

MUND TË JU PËLQEJNË