Në konkursin që ka hapur QKUK për 100 infermier, deri tani kanë aplikuar 900 persona. Infermierët e rinj thonë se nëse vendi i tyre nuk u ofron punë, ata do të detyrohen të ikin në Gjermani.

Petrit Krasniqi është në mesin e mbi 900 infermierëve të cilët kanë aplikuar në konkursin e punës që ka shpallur QKUK për 100 infermier. Në këtë konkurrencë sipas Petritit, gjasat që të pranohet në punë janë shumë të vogla.

“Nga 900 aplikantët, mendoj se kam gjasa 5% për t’u pranuar në këtë punë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Petrit Krasniqi.

Ai shton se në rast se nuk mund të gjejë një vend punë në Kosovë, mundësia e vetme është Gjermania.

“Nëse nuk pranohem këtu, do të pres ndonjë konkurs tjetër ose na pret Gjermania…Ose na siguron shtetin punën ose e sigurojmë ne vet”, shtoi tutje Petrit Krasniqi.

Zëdhënësi i SHSKUK-së, Shpend Fazliu pranon se interesimi për 100 vendet e lira të punës është shumë i madh. Por që pranimi i 100 infermiereve do të jetë një lehtësim i madh për klinikat.

“Është një interesim i jashtëzakonshëm në krahasim me mundësitë dhe vendet e shpallura nga SHSKUK. SHSKUK shpreson që me pranimin e 100 infermierëve të rinj do të zbutet në masë të madhe mungesa e infermierëve në klinikat e QKUK-së dhe të njëjtën kohë do të ndikohet edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, deklaroi Shpend Fazliu.

Megjithatë, sipas Fazliut edhe pranimi i 100 infermierëve të ri nuk i mbulon nevojat që ka QKUK.

“Pranimi i 100 infermierëve nuk do t’i mbulojë të gjitha kërkesat që kanë klinikat e QKUK-së, mirëpo gjatë rishikimit buxhetor që do të bëhet në muajin qershor SHSKUK do të kërkojë që të rritet numri i infermierëve dhe mjekëve specialistë”, deklaroi Shpend Fazliu.

Konkursi për infermier është hapur me 2 Prill dhe do të jetë i hapur deri me 17 Prill. Deri në mbyllje të tij, numri i aplikuesve pritet të arrij mbi 1000.

MUND TË JU PËLQEJNË