Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka prezantuar për të parën herë para Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan gjithë atë që ndodhi ndaj femrave në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, e që askush deri më tash nuk e ka bërë, shkruan “Kosovarja”.

Ajo ia ka prezantuar Komitetit të Kongresit, udhëhequr nga Eliot Engël, dëshmitë tronditëse për gjithë atë që përjetuan mbi 20 mijë gra e vajza nga forcat paramilitare e policore serbe gjatë vitit 1999, duke kërkuar nga SHBA-të aleancë me BE-në për vënie të drejtësisë ndaj Serbisë dhe kryerësve të veprës.

Deri te ky dëgjim i zonjës Jahjaga, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, është bërë një punë e madhe që të vihen dëshmi dhe fakte të reja për viktimizimin e mbi 20 mijë grave e vajzave në kuadër të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e veta.

Zonja Atifete Jahjaga, me paraqitje brilante të fakteve, ka paraqitur dëshmi të pamohueshme të asaj se çka ka ndodhur mbi gratë dhe vajzat e Kosovës nga policia dhe paramilitarët serbë gjatë luftës, për çka ende askush nuk është dënuar në Serbi dhe as që është hapur dosje e përgjegjësive penale, për të cilat kryerësit e veprave duhet të dënohen para drejtësisë.

Në prani të saj ishte edhe Vasfije Krasniqi, e cila, ndryshe, njihet edhe si zëri i vajzave dhe i grave që pësuan gjatë luftës. Edhe ajo, gjithashtu, ka prezantuar fakte direkte si njëra prej femrave që e përjetuan atë tmerr gjatë vitit 1999.

Sidoqoftë, me fakte, ish-presidentja e Kosovës, së bashku me Vasfije Krasniqin, kanë tronditur Kongresin Amerikan dhe ajo që është relevante është fakti se po relativizohet pjesa më barbare serbe, e cila është heshtur qe 20 vjet rresht!

Por, në këtë aspekt, ndihmesë të madhe mund të japin gjithë ato femra që pësuan, në mënyrë që raporti të plotësohet me sa më shumë fakte, e që shteti mik i Kosovës, SHBA-ja, do hedhë kërkesa të reja ndaj BE-së për përgjegjësi të Serbisë ndaj kësaj dukurie të shëmtuar.
Shkurt e shqip, puna dhe kontributi i zonjës Atifete Jahjaga, pas skadimit të afatit si Presidente e Kosovës, gjithnjë e më shumë po e avancon në zonjë me perspektivë të qartë dhe guximtare edhe në temat të cilat deri më tash pakkush i ka prekur. Safet Krivaça ./Kosovarja/.

 

MUND TË JU PËLQEJNË