Këtu, ku edhe ndodhet sot politikisht Republika e Kosovës, e paralajmëronte Albin Kurti dhe partia e tij, shkruan “Kosovarja”.

Udhëkryqi i republikës është gjendja e ngrirë, një status quo, që po zgjat me vite të tëra shkaku i dy problemeve, të cilave u ka dhënë inercion ish-qeveria e Hashim Thaçit: Veriu i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, që vjen si pasuese e decentralizimit, të cilin e paralajmëronte dhe kundërshtonte “Vetëvendosja” me të parin e vet, Albin Kurtin.

Për të qenë korrekt, ashtu qysh e thoshte Albin Kurti, ashtu sot qëndrojnë gjërat, bile me Asociacionin shumë më shumë se me veriun e vendit.

Pse?

Sepse, nëse serbët e Kosovës do ta fitojnë një asociacion me dimensione qysh figuron nga protagonizmi i Thaçit në Bruksel, statusi i veriut të Kosovës, me katër komunat aktuale, nuk do të ketë nevojë të jetë mollë sherri për perspektivat Kosovë-Serbi, ngase asociacioni ekzekutiv do t’i jepte të drejtë faktorit serb ta bënte policinë dhe ushtrinë e vet për mbrojtjen e republikës së re serbe në Kosovë, për të cilën Hashim Thaçi po thotë se “nuk do të lejohet një republikë e re e Bosnjës në Kosovë”!

Kjo lloj republike e Bosnjës në Kosovë nuk po përmendet rastësisht nga presidenti nëpër konferenca rajonale e ballkanike, por as nuk po mbrohen kufijtë aktual të Kosovës rastësisht nga Ramush Haradinaj!

Megjithatë, kjo gjë ishte thënë qysh në fillim të decentralizimit nga Albin Kurti.

Ju kujtojmë demonstratat e “Vetëvendosjes” në Merdare dhe përmbysja e kamionëve serbë. Në kundërshtim të hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, ishte vënë Albin Kurti me partinë e tij – “Vetëvendosjen”.

Ata patën rrokullisur kamionë e mauna të shtetit të Serbisë, në kundërshtim të mallrave serbe në Kosovë, në rrethanat kur Kosova diskriminohej totalisht nga Serbia, me legjislacion dhe dënime e sanksione tjera të çdo gjëje kosovare që hynte në Serbi, e deri te prania e Serbisë në Kosovë, sikur e sundonte Beogradi Prishtinën përsëri.

Qeveria e Kosovës jo që nuk i kundërvihej Serbisë me reciprocitet që e kërkonte Kurti me partinë e tij, por ajo i lejonte dhe i krijonte kushte Serbisë ta dominonte tregun e Kosovës, duke çuar krye politikisht dhe duke i marrë Kosovës gati një të dytën e buxhetit shtetëror!

Albin Kurti me partinë e tij, realisht, po bëhej një radikalist politik, që duhej ta shprehte mes temperamentit protestues atë që duhej ta bënte qeveria e Kosovës kundër Serbisë, duke mos zgjedhur mjete kundër pranisë së Serbisë në Kosovë, ku nuk kishte vetëm mallra, por ku përmes mallrave futej edhe MUP-i serb!

Pra, futej elementi radikal serb brenda Kosovës, ndërsa në skenën e jashtme politike, shteti i Kosovës ishte bërë një arenë ku e bënte luftën vetëm Serbia!

Protestat dhe demonstratat e “Vetëvendosjes”, duke rrokullisur UNMIK-un dhe EULEX-in!
“Vetëvendosja” ishte ajo që, duke mos u pajtuar me shumë ngjarje që shndërroheshin në dokumente antishtetërore nga UNMIK-u, e më vonë edhe nga EULEX-i, dolën kundër UNMIK-ut, madje përmbysën me vonë edhe automjete të ngjashme të tij që ishin shndërruar në EULEX.

Qeveritarët e dënonin dhunën dhe kjo u përngjante deklarimeve të komunizmit, kur pushteti i dënonte trazirat, duke i kualifikuar si armiqësore!

Në këtë segment janë zhvilluar jo pak fërkime të ashpra deri në molotov e gaz-lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke kundërshtuar proceset e dëmshme politike në Kosovë, që vinin nga Brukseli dhe deklarimi pro-demarkimit të kufirit me Malin e Zi të qeveritarëve tanë, si kusht për heqjen e vizave.

Kurti dhe disa të tjerë thoshin se vizat nuk hiqen pa i luftuar “peshqit e mëdhenj”. Por, ata e kanë kapur shtetin dhe sot i tërë sistemi juridik institucional është pjesë e politikës, e cila e komandon fund e krye çdo segment jete.

Nuk është rastësi pse të rinjtë ikin në Perëndim!

Puna, si elementi ekzistencial, sot vlen vetëm për rrethin e pushtetarëve, ndërsa të tjerët mund të ikin kah të duan…

Pushteti aktual i Republikës së Kosovës, kur flet në publik, është tërësisht demagogjik dhe nuk bën asgjë më shumë seç renditë fjali gënjeshtrash, sikur kur recitohen vjershat për fëmijë, ku iluzionet duket se po e sjellin bukën e të varfërve, por kokrrën e merr përsëri gjeli!

“Vetëvendosja” ka luajtur rol të madh edhe në definimin e çdo gjëje që ka kaluar dhe që e ka sjellë këtë gjendje të ngrirë në Republikën e Kosovës, për të sjellë fatkeqësinë deri këtu, sa Serbia të shprehet se është për pastrimin e Kosovës nga rinia shqiptare, se tek e fundit, pikërisht kjo strategji, ka qenë jo vetëm ideja e Milosheviqit për ta zbrazur Kosovën.

Sot krejt kjo që e kemi në Kosovë, si një gjendje e ngrirë, është pasojë e disa proceseve ku kanë pësuar disfatë qeveritë, por ku çdo qeveri ka qenë me PDK-në në krye!

Dhe, të gjitha pasojat i ka shprehur “Vetëvendosja” në rrugë e në parlament, me protesta e demonstrata, herë-herë edhe me dhunë e vandalizëm, por edhe me mjete paqësore e politikë kombëtarisht profesionale, pa hyrë në teoritë konspirative se kush është kushi nga individët dhe partitë.

Taksa, asociacioni, decentralizimi, demarkacioni, krimi, të gjitha këto për gati 20 vjet janë elaboruar nga Albin Kurti, me parti e pa parti.

Hashim Thaçi doli te Albin Kurti, apo…

Albin Kurti ka thënë në vazhdimësi se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë, dy shtete që do e shkrinin popullin dhe ekonominë, detin dhe tokën…

E, atëbotë Thaçi nuk fliste për idenë e bashkimit dhe kjo ndodhte për dy gjëra:

Ose, Hashim Thaçi i sheh gjërat më vonë se Albin Kurti, e nëse është kështu, atëherë distanca Kurti-Thaçi duhet të matet me qindra ditë drite, qysh matet në astronomi distanca e tokës me planetët;

Ose, Hashim Thaçi përkëdhelej shumë nga ndërkombëtarët proserbë, që u konvenonte tempoja politike se si shkonin gjërat, e ku Hashim Thaçi ishte i pazëvendësueshëm për ta!

Çka sot?

Hashim Thaçi, çuditërisht, doli për bashkim me Shqipërinë! Andej e ka edhe Edi Ramën, me konceptin e të cilit lidheshin që nga lufta apo nga marksizëm-leninizmi ideologjik.

Hashim Thaçi po e kërkon bashkimin kombëtar dhe kjo llogaritet vetëm pjesë e një inati në një moment politik, ku ai mendon se është babai i bashkimit kombëtar!

Sepse, ata që mund t’i kenë premtuar Thaçit në BE, janë ndërruar ndër vite, meqë atje ka ndërrime të përhershme të kuadrove. Andaj, edhe nuk kanë obligim moralo-institucional…

Kështu, hasja e sharrës në gozhdë ka çuar te ideja e Thaçit për bashkim kombëtar! E, nëse këtë e përkthejmë në gjuhën praktike, do tingëllonte kështu:

Ju, meqë nuk po m’i realizoni premtimet, unë e bëj bashkimin e Kosovës me Shqipërinë!

Por, bashkimi zyrtar me Shqipërinë u mbetët brezave të ardhshëm, tek kur Ballkani Perëndimor ta heqë nga mendja e shpirti urrejtjen ndëretnike dhe shovinizmin.

E, atë bashkim mezi e pret Serbia, sepse bashkimi me Shqipërinë i hapë rrugë asaj për krijimin e Serbisë së madhe…

Sidoqoftë, se Hashim Thaçi po bën gafe, kjo nuk do koment! Ai tani po kërkon nga KQZ-ja ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku presidenti do votohej dhe zgjidhej nga populli.

Shumë në rregull kjo, por kush e ka ndalur të parin e vendit tonë, dikur kryeministër në dy mandate, që ta bëjë ligjin për president të zgjedhur nga vota e popullit?
Askush!

E, nëse flasim se kush e si është bërë kryeministër në Kosovë, besoj se çdo kryeministër i qeverisë së Kosovës ka dal nga dallaveret e partive politike, si dhe duke ndërhyrë të huajt në sistem, pas dështimeve gjashtëmujore të bërjes së qeverive.

E, në këtë temë, siç thotë Ramush Haradinaj, nuk ka vend të lavdërohet asnjë kryeministër.

Apo, nëse lavdërohet, i bie sikur gjeli kur hip mbi pleh dhe këndon me mburrje! Sepse, kryeministrat tanë kanë dalë nga marrëveshjet e partive në parlament, ku partia, bie fjala, e Pacollit, i ka 2% të votave, por që ka përfituar dhjetëra ministra!
Qesharake, a?!

Sepse, asnjë parti s’e ka shumicën për t’u thirrur në popull!

E, çka tash, për zgjedhje të presidentit? Ai ka qenë më i forti për ta bërë, pikërisht, këtë zgjedhje në KQZ.

Mirëpo, si qëndrojnë sot gjërat, është iluzion nëse presidenti aktual mendon se, vërtet, e do populli shumë!

Sepse, populli është lodhur duke i parë gjithnjë vetëm të njëjtat fytyra politike, madje edhe po të kishin punuar perfekt mirë, e lëre me këtë shkallë korrupsioni!

Popullit i kanë ardhur te hunda fytyrat që flasin vetëm për komandantët! Sepse, populli nuk i harron dëshmorët e as martirët…

E, shteti më së miri i ngritë ata në vendin e vet, duke e zhvilluar shtetin dhe duke i dhënë popullit atë që e meriton, atë që e ka ëndërruar e pritur me vite.
Thënë shkurt e shqip: Populli është i dëshpëruar!

Edhe “Vetëvendosja” ka kërkuar dialog, por jo dialog ku Serbia qet kushte, kurse Kosova, si viktimë, vetëm struket!

E, nëse dikush duhet t’i kërkojë kushte Serbisë është Kosova, por kjo është kuptuar shumë vonë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË