Letra e Albin Kurtit, dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, duhet të lexohet si diçka rekreative për kohë vikendi, shkruan “Kosovarja”.

Letra të gjata, si kjo e Albinit tash, dikur janë shkruar vetëm për dashuri!

VV-ja, e që po thirret se po e stërzgjatë marrëveshjen me LDK-në, kinse shkaku i “reformave të thella të së ardhmes”, nuk përkon me realitetin!

Stërzgjatja e mosmarrëveshjes është duke ndodhur shkaku i postit të kryeparlamentarit, që VV-ja e uzurpoi, duke e prerë në besë LDK-në!

Pse letra e Kurtit, dërguar Presidentit, është një letër dashurie?
Në arsyetimin e vonesës së marrëveshjes me LDK-në, Albin Kurti thotë se kjo vonesë po ndodh shkaku i programit qeverisës dhe i reformave të thella që e presin vendin…

E, punën e programit qeverisës kaherë e kanë deklaruar si punë të kryer!

E, për reforma, së fundi, është folur nga Kurti dhe partiakët e tij vetëm Ministria e Punëve të Brendshme, që duhej ta posedonte VV-ja, me qëllim që të kryhen reformat.

Por, populli fort mirë e di se dy gjëra e kanë bllokuar formimin e qeverisë së re:

Posti i Presidentit, si kërkesë e LDK-së, me çka nuk pajtohej VV-ja, si dhe posti i kryeparlamentarit, që e mori pa paralajmërim VV-ja, e për të cilin post, natyrisht, nuk pajtohet LDK-ja.

Pra, këto janë dy mospajtimet eksplicite, pa hyrë në filozofinë tjetër, e që mund të jetë e natyrës spekulative.

Andaj, deri te kjo gjendje e acaruar e të dy partive, ka kontribuuar kryesisht VV-ja, kurse paksa më pak edhe LDK-ja, nëpërmjet disa anëtarëve.

Cilët janë “pleqnarët” partiakë?
Sidoqoftë, kinse në cilësinë e një “pleqnari” për tejkalimin e ngërçit, i ka hyrë edhe i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.

“Zbulimi” i tij, se zvarritja po ndodh shkaku i postit të kryeparlamentarit, nuk është lajm i ri!

Një tjetër, pjesëtar i VV-së, Arbër Zaimi, e sheh ndryshe stagnimin e formimit të qeverisë:

“VV-ja nuk mund të krahasohet me partitë tjera që negociatat për koalicione i kanë bërë shpejt, e edhe marrëveshjet e tjera…”.

Por, siç po shihet, këtyre u intereson vetëm pushteti dhe asgjë më shumë… Këta dhe të tjerët si këta, nuk po e shohin se shteti po shkon drejt krizës falimentuese shkaku i mosmiratimit të buxhetit.

E, për këtë ata as që mërziten! Sepse, ende nuk kanë pushtet legjitim dhe, nëse ndodh të paralizohet shteti, duke mos qenë në gjendje t’u japë paga shërbyesve publikë, adresimin e problemit do ia gjuajnë Presidentit!

Mirëpo, paaftësinë e fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit, e që nuk po mund ta formojë qeverinë, nuk duhet ta marrë Presidenti, e as LDK-ja!

Sidoqoftë, është hera e parë në Kosovë që opozita heshtë karshi VV-së, që nuk po ka aftësi ta formojë qeverinë e re!

Askush nuk po i ngacmon, askush nuk po i shantazhon…

Andaj, fituesi i zgjedhjeve, nëse, vërtet, ia do të mirën vendit, duhet të lëshojë pe…

Përndryshe, në rast të dështimit të Albin Kurtit, LDK-ja, pa dyshim, do e formojë qeverinë pa u lodhur fare…

Sepse, numrat i ka pa kurrfarë dyshimi, kurse aftësinë e ka qysh moti…

Shtrohet pyetja: A thua, është e çmendur LDK-ja të lëshojë pe, pa marrë asgjë nga postet e larta?

E, nuk beson askush se kjo parti do ia plotësojë Albinit qejfin sipas tekeve të tij…

Këtë e tha edhe vetë Albulena Hxhiu, nga VV-ja, e nominuar për ministër të drejtësisë:

“I kemi mbyllur të gjitha çështjet në arsim, shëndetësi, drejtësi e prioritete të tjera.

Kur jemi lëshuar në nivelin e ndarjes së përgjegjësive, kemi hasur në rezistencë. Kemi pasur takime ditëve të fundit. Kemi pasur shumë takime, sepse kemi pasur mospajtime.

S’mund të them me garanci se marrëveshja VV-LDK do të ndodhë, me siguri, sepse s’varet vetëm prej nesh.

Negociatat kanë ngecur te kërkesa e LDK-së për kthim të para datës 26 dhjetor, kthesë e vendimit të deputetëve për kryeparlamentarin, që është e papranueshme për ne.

U kemi bërë një ofertë e po presim përgjigje…”, ka thënë ajo.

Pra, Albulena Haxhiu tregon se është kryer puna me ministritë. Ndërkaq, Arbër Zaimi thotë krejt diçka tjetër, kurse Albin Kurti, në letrën dërguar Thaçit, më shumë jep këshilla sesa që tregon se kur do të ndodhë formimi i qeverisë!

Pra, secili në stilin e vet! Agim Veliu, i LDK-së, i bie trup të vërtetës… E, Lutfi Haziri mundohet ta stolisë degën e tharë, me pak gjethe të gjelbra!

Ndërkaq, nuk flet fare Vjosa Osmani! Ajo, si duket, duke qëndruar afër Isa Mustafës, po duket të jetë më e heshtura… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË