Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se pjesën veriore të Kosovës ai e ka vizituar dhe do e vizitojë sa herë që e sheh të nevojshme.

Këtë deklaratë Thaçi e bëri pas vizitës që pati gjatë ditës së djeshme në pikën kufitare në Bërnjak dhe te Liqeni i Ujmanit.

Ai ka thënë se për këtë vizitë nuk ka marrë leje dhe as që do marrë në të ardhmen kur ta vizitojë veriun, duke thënë se kjo është pjesë e Kosovës.

Ndërsa, ka shtuar se leje duhet të marrin vizitorët nga Serbia të cilët duan ta shohin këtë pjesë.

“Vizita në pikën kufitare në Bërnjak dhe në liqenin e Ujmanit. Kosova është shtet i lirë dhe unik, demokratik dhe multientik, në të cilën liria e lëvizjes është e garantuar për të gjithë qytetarët kudo, pavarësisht vështirësive politike qe mund të paraqiten aktualisht. Kam vizituar pjesën veriore dhe do e vizitojë sa herë të shoh të nevojshme dhe sipas planifikimet të agjendës sime. As që kam marrë leje dhe as që do marrë për një gjë të tillë. Kjo vizitë ka qenë transparente, dhe askush nga Kosova nuk duhet të marr leje, as institucionet e as qytetarët. Ata kanë të drejtë për lëvizjen e lirë në çdo cep të territorit të Kosovës. Ne jemi ata që u japim leje të tjerëve për ta vizituar Kosovën kur ne e shohim të arsyeshme. Vizitorët nga Serbia duhet të kërkojnë leje”, ka deklaruar Thaçi.

Më tej ai ka shtuar se nga vizita në Ujman, ai është kthyer edhe më i relaksuar në Prishtinë.

“Qëndrimi i djeshëm në Veri të Kosovës, në Bërnjak, ishte vizitë në një pikë kufitare krejt të rregullt. Kjo pikë është sukses i rezultatit të dialogut në Bruksel. Ndërsa, në Ujman, vizita ishte e qetë, krejt normale, në një ambient të mrekullueshme. Nuk është përcjell me asnjë incident më të vogël. Përkundrazi jam pritur ngrohtë edhe nga banorët lokal, serbë të Kosovës, prezent aty dhe që banonin aty e të cilët na kanë mirëpritur edhe me kafe edhe me raki shtëpie. Në bisedë me banorët atje mu konfirmua edhe njëherë se të gjithë e duan paqen, mirëkuptimin, tolerancën dhe pajtimin. Duan vende pune dhe jetë më të mirë për familjet e tyre, e jo nacionalizëm, konflikt e luftë e armiqësi. Pata kënaqësinë edhe të lundroj në liqe. Nga gjiro lundruese u ktheva edhe më i relaksuar dhe më me energji në Prishtinë. Liqeni i bukur i Ujamnit është aset i pazëvendësueshëm për Kosovën. Është dhe do të mbetet si aset i shfrytëzueshëm për Republikën e Kosovës”, ka shtuar presidenti.

MUND TË JU PËLQEJNË