Optimizmi i ministres për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, për të marrë një datë për liberalizimin e vizave është shuar, shkruan “Kosovarja”.

Edhe pse shumë herë ministrja Hoxha është shprehur në favor të këtij procesi, tani kur Këshilli i Ministrave të BE-së mban të bllokuar liberalizimin për Kosovën, Dhurata Hoxha është zhgënjyer me BE-në.

Edhe eurodeputetja Tanja Fajon, në një intervistë, ka thënë se Kosovës po i bëhet padrejtësi nga BE-ja për mosliberalizimin e vizave.

Mosliberalizimin e vizave thuhet se po e pengojnë Gjermania dhe Franca, dy shtetet e angazhuara në ndërmjetësimin e bisedimeve përfundimtare Kosovë-Serbi, e që nuk dihet se kur do të fillojnë përsëri, shkaku i bojkotit të Serbisë.

Nëse Gjermania po i bën obstruksion liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo gjë duhet të thuhet se Merkel dëshiron që Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Nuk dihet nëse edhe Franca e ndanë të njëjtin qëndrim me Gjermaninë, por ajo që dihet rreth fatit të vizave dhe lirisë së qarkullimit në Kosovë është e tmerrshme.

Më shumë se 100 mijë aplikacione me ftesa garantuese janë duke pritur përgjigje vetëm në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë!

Zor që gjen ndonjë të ri, i cili nuk ka aplikuar diku për në shtetet e BE-së.

Kosova po shpopullohet. Demografia e së ardhmes, nëse vazhdon ky hap i ikjes së rinisë jashtë vendit, do të jetë e tmerrshme. Kosova nuk do të ketë fuqi punëtore, por as nuk do të ketë nevojë për liberalizim të vizave, sepse nuk do i duhet më liberalizimi askujt!

Të moshuarve nuk ua ndalë askush vizat nëpër konsullata, sepse ata shkojnë te djemtë ose vajzat e tyre në cilësinë e mysafirit.

Liderët kosovarë i kanë marrë votat në dy-tre zgjedhjet e fundit nacionale, duke u thirr se gjatë mandatit të tyre do të hiqen vizat. Por, kjo nuk ka ndodhur!

Çka tash?
Qeveria është mirë të heqë dorë publikisht nga liberalizimi. Të mos bëhet më propagandë për vizat.
Rinia e Kosovës edhe ashtu po gjen forma të ndryshme për të ikur jashtë Kosovës…

Nëse do të ndodhë liberalizimi – mirë, nëse jo, së paku, të mos bëhet më propagandë se do të ndodhë në këtë muaj a në këtë vit, siç ka ndodhur deri tash…

Tash ajo çka qeveria duhet të bëjë është të mos lëshojë pe në sovranitetin e shtetit dhe kufijtë të mos preken.

Tashmë po dihen qëllimet e BE-së dhe njëri nga ta është formimi i asociacionin ekzekutiv!

E, nëse formohet asociacioni me kompetenca ekzekutive, Kosova më s’ka nevojë të flet për korrigjim kufijsh, sepse lufta reale do të kalojë te ndarja e shtetit! Safet Krivaça /Kosovarja/

 

MUND TË JU PËLQEJNË