D.M nga Peja kur ishte vetëm 17 vjeç ishte përfshirë në veprën penale vjedhje e rëndë. Ndaj tij, është shqiptuar masa e dënimit me burg prej 1 viti. Ai tash ndodhet në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

D.M, thotë se nga mosha 15 vjeçare kishte filluar të merrej me punë të jashtëligjshme.

“Si i mitur që nga mosha 15 vjeçar ja kom nise me shoqni të keqe tu u merr me punë të këqija. Si 17 vjeçar kam bërë një vepër penale, vjedhje e rëndë”, ka thënë D.M.

Gjatë një viti të qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ky i ri zhvillon një jetë krejt tjetër. Që nga mëngjesi e deri në mbrëmje ai ka për të ndjekur një rregullore të vendosur nga përgjegjësit e Qendrës Korrektuese në Lipjan.

Ai madje ka edhe një punë për të cilën paguhet 1 euro në ditë.

“Në ora 8:20 shkojë në byfen e Qendrës Korrektuese ku punoj dhe paguhem 1 euro në ditën, aty ju qes kafe punëtorëve, më pas shkoj në shkollë, pas përfundimit të shkollës kthehem prapë në punë, nëse e shoh që nuk kam një punë shkoj në pavijon”, ka thënë D.M për Gazetën Insajderi.

Tutje, ai ka treguar se përveç shkollimit të cilën e ndjek në mënyrë të rregullt ai merret edhe me trajnime profesionale, për të cilat në fund certifikohen me mundësi punësim pas lirimit.

“Po merrna me aktivitet, me trajnime si moler”, ka shtuar me tej.

I penduar me veprimin që e ka bërë, ai ka kërkuar nga të rinjtë që të mos merren me punë të jashtëligjshme.

“Ju kisha sugjeruar që mos me përsërit gabimin që e kom ba unë se nuk ja vlen, ju kisha lute që me vazhdu jetën përpara”, ka përfunduar D.M.

MUND TË JU PËLQEJNË