Reciprociteti, si ide e Albin Kurtit, nuk duhet të jetë synim zbatimi vetëm pse e premtoi gjatë gjithë kohës dhe fushatës zgjedhore, shkruan “Kosovarja”.

Koha i ndryshon gjërat, prandaj edhe vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, në vend të taksës 100%, në kohën e ofensivës diplomatike të SHBA-së për t’i dhënë fund krizës Kosovë-Serbi, është e dëmshme.

Amerika po kërkon t’i hap rrugë dialogut, apo ndonjë vendimi për marrëveshje pa dialog fare.

Serbia, megjithatë, nuk është bash e lumtur që ka marrë hov ky proces amerikan në Beograd e Prishtinë.

Vuçiçi mezi po pret që qeveria Kurti ta bëjë një gabim, si, bie fjala, vendosja e reciprocitetit dhe të mos pranojë fare dialog me Thaçin a qeverinë.

Administrata e Presidentit Tramp nuk është shumë e besueshme që e lutë Kosovën pafundësisht të mos vendosin masa ndëshkimore për Serbinë, sepse opinioni e di mirë se si po bien shpejt nga postet bashkëpunëtorët, madje edhe ata më të ngushtit të Trampit!

Kështu, Presidenti Tramp mund të merr vendime të paparashikueshme edhe në raport me Kosovën, nëse qeveria Kurti nuk i koordinon veprimet sipas kërkesës amerikane.

Reciprociteti i proklamuar i Albin Kurtit nuk e zëvendëson taksën. Por, si pengesë Kosovës mund t’i pengojë po aq sa taksa e qeverisë Haradinaj.

Kë e dëmton reciprociteti?
Nëse qeveria Kurti e vendosë reciprocitetin, ky proces do t’i dëmtojë më së shumti shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kjo filozofi nuk është menduar e as thënë për herë të parë, por thuhet për të satën herë. Shqiptarët e Luginës do ta paguajnë faturën më të rëndë.

Vendosja e kësaj mase nuk ka lidhje me revanshizëm konkret ekonomik. Serbia i futë në Kosovë 200 mauna mall në ditë, kurse Kosova mund t’ia dërgojë Serbisë, ndoshta, 2 kamionë mallra!

Andaj, vlera ekonomike, e që mund t’i vihet si sanksion Serbisë duke hyrë në Kosovë, është qesharake, karshi vlerës që paguan Kosova kur hyn në Serbi me mallra!

Por, kjo masë, nëse vendoset nga qeveria Kurti, është masë simbolike, e që, megjithatë, nuk është me asgjë afër tarifës që i ka shkaktuar dëme rreth 500 milionë euro për 14 muaj Serbisë.

Sidoqoftë, Qeveria Kurti duhet ta heqë taksën, sepse është e pamundur ta mbajë taksën cilado qeveri e Kosovës që do të ishte në pushtet.

Taksën mund ta mbajnë për Serbinë, por ajo nuk e nënshtron Beogradin zyrtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Vetëm SHBA-ja mund ta nënshtrojë Serbinë me masa të caktuara…

Prandaj, Kosova duhet t’i besojë Amerikës, sepse shqiptarët e Kosovës nuk kanë mik më të besueshëm se Uashingtonin. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË