Një grup prej 50 psikologesh, 4 psikaterë, 2 epidemiolog dhe mjek, niset të dielën për zonat e prekura nga kriza në Thumanë, Durrës dhe Tiranë.

Ekipi niset në ora 05:00 e mëngjesit nga Prishtina dhe në Durrës do të arrijnë në ora 09:00, tek Terminali (stacioni i autobusëve).

Në përbërje të ekipit janë dhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo ekspeditë mjekësore organizohet nga Shoqata e Psikologeve të Kosovës në përbërje të saj do të ketë edhe nga SHBA (PhD) dhe nga Shoqata e Psikologeve të Shqipërisë, që të gjithë profesionist të shëndetit mendor me përvojë dhjetëra vjeçare.

Së paku 51 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që goditën Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit.

Një vajzë 20 vjeçare, e cila kishte mbetur e plagosur, ka ndërruar jetë paraditen e së shtunës në spital, duke e çuar në 51 numrin e viktimave nga tërmeti.

Mbi 5 mijë persona kanë mbetur të pastrehë si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

Në mesin e viktimave të tërmetit janë 6 fëmijë dhe 22 gra. Në operacionet ë kërkimit nëpër rrënoja, morën pjesë rreth 250 efektivë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE-je dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në total janë së paku 900 të plagosur, nga të cilët 41 janë ende të shtruar në spital. Mes tyre, një vajzë është në gjendje të rëndë, dhe sipas vlerësimit të mjekëve transferimi i saj jashtë vendit është i pamundur. Tre të tjerë që gjithashtu kanë qenë në gjendje të rëndë, janë dërguar për trajtim të specializuar jashtë vendit.

Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6,4 ballësh të Rihterit njëherësh ishte më i fuqishmi në dekada që ka goditur Shqipërinë. Epiqendra e tij ishte në Detin Adriatik, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

MUND TË JU PËLQEJNË