Njeriu s’është tamam ai, kur flet në veten e parë. Ia jepni një maskë dhe do ta thotë të vërtetën!

Fatkeqësisht, qe 20 vjet, në Kosovë kanë ngjarë e po ngjajnë akte të rënda e të llojllojshme. Dikush i quan veprime të organizuara, dikush tjetër politike ca të tjerë mosmarrëveshje brendashqiptare, kurse pjesa më e heshtur pëshpërit rreth veshit se këto dëme po organizojnë shërbimet sekrete serbe, e që veprojnë shumë rehat në Kosovë.

Dhe, përderisa gjyqi s’e thotë fjalën e vet, të gjitha këto mund të quhen politikisht të dënueshme, ndërkohë që vargu më i madh i këtyre krimeve konkrete, sot e gjithë ditën, janë me “autorë të panjohur”!

E, edhe 20 vjet pas lufte, e ende me “autorë të panjohur krimesh”, kjo është për t’u habitur, për t’u zhgënjyer!
Sikur ky të ishte i vetmi zhgënjim?!

*
Kurrë s’ka pasur kaq shumë vetëvrasje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri! Në kohën e lirisë më të madhe, le ta quajmë kështu, njëkohësisht, të shpërdorimit më të madh të vetëlirisë!

Dhe, për këto jepen vetëm lajme akull, pa një mesazh të rëndësishëm njerëzor, antivdekje, pa analiza socio-psikologjike, pa mendimin social, shkencor, pa vënë gishtin mbi këtë plagë shoqërore, dukuri e re kjo, tragjike në botën shqiptare.

Shqiptarët, edhe në rrethanat më kritike, më të këqija se aktualiteti i sotëm, nuk e kanë vrarë veten aq lehtë, për të mos thënë asnjëherë.

Arsyet e vetëvrasjeve tepër të pakta kanë qenë të mëdha, madje madhore të moralit të lartë dhe kultit të lirisë e të drejtësisë, jo vetëm prej emrave historikë, por edhe nga anonimët.

Janë hedhur nga shkëmbi vajzat e legjendës shqiptare, për të mos rënë në dorën e pushtuesit mesjetar.

Heroi Oso Kuka i vuri zjarrin barotit në kullën ku qe rrethuar, duke hedhur në ajër edhe veten, në emër të qëndresës. Pra, për t’i shërbyer asaj ndërgjegje që luftëtari nuk bie i gjallë, por fiton edhe i vdekur.

E, kemi edhe shumë shembuj të tjerë, me të cilët kombi ynë krenohet…

Natyrisht, vetëvrasjet më të shpeshta tani i shkaktojnë jo shëmtia, por mungesa e perspektivës, kur nuk je dot ai ose ajo që dëshiron të jesh, e mbi të gjitha varfëria e madhe, dëshpërimet e rënda, kur nuk gjen rrugëdalje sociale, papunësi e gjithandejshme, pensionet mjeruese, zëvetnimet e thella, mungesa e shpresës…

E, shqiptarët kanë shpresuar shumë, deri në mashtrim!

Pra, shqiptarët, ngaqë kanë shpresuar për ndryshime, për përmbysje, për ditë më të mira, gjë që i ka mbajtur jo vetëm gjallë, ua ka ruajtur në njëfarë mënyre drejtpeshimin e tyre individual dhe kolektiv, ndoshta po aq sa robëria.

Mirëpo, realiteti i tanishëm i një kaosi po i zhgënjen aq shumë dhe po i zhveshë nga çdo lloj mundësie, sa jo vetëm u duket, por edhe u është bërë armiqësor.

Ëndrrat sikur largohen… Jeta shndërrohet në ekzistencë të mundimshme dhe e tillë kishte qenë, por tani jemi të lirë të mos e duam jo vetëm vendin, por as jetën!

Ndërkohë, vetëvrasjet po shtohen, sidomos te të rinjtë, por edhe te të gjitha moshat. Kemi lexuar për vetëvrasje të ish-ushtarëve të UÇK-së, të pensionistëve, të skamnorëve, por edhe, siç ndodhi rasti i para do ditshëm, i të riut 13 vjeçar!

Vetëvriten edhe vajzat e reja. Vajzat i tronditë dashuria, s’u del ashtu siç kanë ëndërruar. Dashuria s’është edhe aq e pastër, aq dritë, por shpesh e më shpesh biznes, trafik dhe gënjeshtër…

Çuditërisht, s’e vret veten asnjë politikan a lider, të cilët janë shkaktar për gjendjen dhe asnjë shpresë e afërme për përmbysje të tilla, e që mund të sjellin ndryshime për të mirë në jetën e secilit! Sidomos të gruas, të femrës.

Prandaj, shpesh, për një çast, ngrinë para pasqyrës:
Kush u vra?

Ëndrra…

Ku ndodhi vrasja?

Brenda vetes! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË