Inatet janë në modë. Politikanët bëjnë politikë për inati të njëri-tjetrit. Por, psenë nuk e di askush.

Nuk ka muhabet as bisedë që nuk dëgjon njeriu – njeriun të flet se si ka bërë diçka keq dhe në kundërshtim të rregullave, vetëm e vetëm për ta plotësuar një inat! Mbase kjo të kujton diçka të madhe se ne, shqiptarët, kemi dëshirë që për inati të lëmë shumë interesa. Prandaj, nuk thuhet kot: “Për inati të resë, më vdektë djali!”, shkruan “Kosovarja”.

Inati i vajzës së dashuruar

Dy vajza ecin para meje nëpër tunelin e ri afër “Santesë” në Prishtinë, të martën që shkoi.

“Unë e doja atë, por më vinte inati me ra aq poshtë te ai. Më vinte inati me i thënë se e dua… Inati bre me qit veten aq poshtë… Pak na ka ra me ndenjur bashkë, sepse ai, vjet, pas njohjes sonë, u kthye në Gjermani. Edhe atij i kishte mbetur merak me ndenjur me mua, por inati nuk e kishte lënë me m’u afrua.

Thashë me vete: Nëse do me fol me mua ja ku jam. Pse me e lutur unë atë! Valla inati është me ra në qasi niveli”.

Nuk ia kthen paratë për inati!

Edhe kthimi i borxhit shpesh lidhet me inate. I ka borxh dikush dikujt dhe nuk ia jep, sepse ai po bën kapadaillëk me stilin e të ecurit. Nuk e lë inati me ia kthyer borxhin dhe kërkon fesat.

Ja si shprehet një burrë:

“M’i ka pas dhënë pesëdhjetë euro, para tre muajsh, por nuk e kam ndërmend me ia dhënë hiq. Dhe, a di pse? Veç që po shitet shumë kapadai! Po ec udhës thua se e ka çliruar Prishtinën! Dhe, nuk e kam mendjen me ia dhënë veç për inati. Kur po takohet me mua me m’i lyp paratë po i vjen inati, po më duket. Sidoqoftë, kam me ia dhënë, sepse s’kam mbetur në fatin atyre parave, por nëse më thotë pse m’i ke vonuar, kam me i thënë se e kam bërë me qëllim, për inati se po shitet frajer”, shkruan “Kosovarja”.

Dasmë për inati

Edhe dasmat, madje, lidhen me inati. Tupanët janë ata që për inati të fqinjit kërkohet të shqyhen dhe të pëlcasin.
Flasin dy burra:

“Po, çka t’u deshën në dasmë dy tupanë bre, sepse një boll ka qenë e po harxhon para kot?!”, i thotë i pari.
I dyti i përgjigjet:

“E di që është gjynah me harxhuar para kot, por veç për inati të mëhallës e kam bërë, se fqinji im në dasmën e vet i ka pasur dy tupanë. Le ta dijë mëhalla se kush jam unë! Vetëm për inati i kam marrë dy tupanë dhe u thashë të dyve me bë hallakamë… Kështu, duhet me u treguar atyre të mëhallës se kush jam, sepse fqinji im, sa herë dal në derë të oborrit, mercedesin ma lë para dyerve me qëllim që t’më nevrikos!

E, edhe unë e bëra nervoz me tupana…”. Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË