Është një prej personazheve më karizmatik të ekranit. Aktor i teatrit, filmit dhe yll televizioni. E kemi parë në seriale dhe emisione televizive, përherë duke lënë përshtypje pozitive. Origjinal, vetvetja dhe gjithnjë me humor.
Është ky Fatmir Spahiu, që në këtë intervistë vjen “më serioz se me setër”.

Duam të dimë diçka për fëmijërinë tuaj?

– Isha fëmijë si krejt fëmijët tjerë, por ndoshta pak më i shoqërueshëm se të tjerët.

Konsideroni se jeni i lindur për aktor?

– Mendoj se talenti është ai që lind, nuk bën ndryshe, nuk krijohet gjatë kohës. Ajo që krijohet gjatë kohës, nëpërmjet ushtrimeve dhe gjatë studimeve është shprehi e punës. Mirëpo, definitivisht, kam lindur si shumë aktorë të tjerë, shumë piktorë, muzikantë…

Po të ishit personalitet me ndikim politik, ç’kishit ndryshuar në kulturën kosovare, veçmas në lëmin që i përkisni?

– Mendoj se aktorët janë individë që kanë ndikim në shoqëri. Nuk do e quaja ndikim politik, por ndikim në shoqëri. Sepse, e kemi parë, para se të mbahen zgjedhjet, një numër i politikanëve kanë dëshirë të jenë përkrah aktorëve, sepse dëshirojnë të identifikohen me ta. Pra, kemi ndikim në shoqëri, derisa na shohin në televizion çdo ditë, pastaj në qytet etj. Nuk do të mundem të ndryshonim diçka spektakulare, megjithatë jemi duke ndryshuar, sepse jemi gjeneratë e re, e cila është duke importuar një frymë të re të lojës, një klimë të re të aktrimit, pra një zhvillim i hovshëm i aktorëve te ne.

A stimulohet aktori për punën që bën?

– Mund të them se stimulim nuk ka. Nuk do e personalizoj veten, në këtë intervistë, por produksioni është në krizë të vlerave, pikërisht për arsye të mosmbështetjes sa duhet dhe kjo bën që me vështirësi të përthekohen projektet e ndryshme artistike, në mungesë të mjeteve financiare. Kur ke para edhe e menaxhon më lehtë familjen, e të mos flasim institucionin…

Po të mos ishit aktor…

– Mendoj se do të isha ekonomist, sepse sado pak kam afinitet edhe për këtë lëmi.

Dihet se keni shumë aktivitete humanitare dhe jeni shumë zemërgjerë. Çfarë ndjenje është t’i ndihmosh të tjerët?

– Është e vërtetë, kam shumë aktivitete humanitare dhe bëj organizime të ndryshme të bamirësisë dhe kjo ndjenjë është fantastike.

Çka mund të quajmë sukses në kinematografinë shqiptare?

– Çdo depërtim i ndonjë filmi jashtë vendit në ndonjë festival është sukses në vete.

Nderim Neziri

MUND TË JU PËLQEJNË