Një qeverisje e mirë dhe e dëgjueshme, karshi SHBA-së dhe miqve të fortë evropianë, me kusht që të punohet me korrektësi dhe pa revanshizëm, do të ishte në interesin e qytetarëve të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Dy gjëra momentalisht ndodhen para qeverisjes Kurti: Heqja e taksës dhe vendosja e Reciprocitetit, si dhe plotësimi i boshllëkut në administratën e shkarkuar dhe në shkarkim e sipër.

Kurti ka paralajmëruar shkarkime të mëtejme nëpërmjet strukturës ministrore, aty ky njerëzit janë trajnuar jashtë vendit, duke qenë në poste rezidente e jo politike.

Dy momentet e para që do të vijnë te qeveria Kurti, do të jenë sfidë për koalicionin. Këtu nuk do të përfshihet taksa 100% , meqë ajo veç llogaritet inekzistente brenda dy ditësh, posa Kurti të kthehet nga Samiti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që po mbahet në Londër, ulur pranë Ana Bërnabiçit të Serbisë.

Besohet se reciprocitet nuk do të lejohet fare nga Amerika dhe, eventualisht nëse kjo masë që zëvendëson taksën do të vendoset, emisarët e dialogut Kosovë-Serbi do ta fajësojnë qeverinë e Kosovës për pengesë në dialog, pas të cilit ekipi ndërmjetësues i dialogut, përfshirë edhe emërimin më të ri, Mirosllav Lajçak në krye të BE-së, do ta arsyetojnë Serbinë.

Kjo masë, nëse vendoset, do ta dobësojë edhe më shumë pozitën e Kosovës në politikën e jashtme. Në këtë rast, LDK-ja nuk besohet se do t’i nënshtrohet presionit amerikan për heqjen e reciprocitetit, edhe pse reciprociteti do të ishte sa për sy e faqe, meqë ishte brenda platformës premtuese të Kurtit gjatë fushatës.

Në çdo rast, nëse do të ngulte këmbë Albin Kurti, nuk besohet se LDK-ja do të lejonte përkeqësim të marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.

Sfida e dytë, plotësimi i boshllëkut institucional me zyrtarë të tjerë, në vend të të shkarkuarve, do të shikohet me mikroskop politik.

Nëse kryeministri do të qojë aktivistë të VV-së, si sekretarë permanentë në ministritë ku janë shkarkuar sekretarët e kaluar, kjo do të dëshmojë për herë të parë se qeveria Kurti po përgatit terren të një qeverisjeje afatgjate.

Përveç qeverisjes së tillë, Kurti, në këso situate, do të sillte afër vetes aktivistë të besueshëm për luftimin e korrupsionit.

Sidoqoftë, Albin Kurti ka mundur të punojë edhe me sekretarët e kaluar, ndërsa çdo punë të keqe që është bërë, ta qojë në gjyq dhe hetuesi konform ligjit.

E, ajo që shihet tani për tani, është se opinioni po e sheh një Albin Kurt të moderuar! Mund të ulet pranë kryeministres së Serbisë, mund të flet me Vuçiçin, mund t’i pranojë idetë amerikano-evropiane për zgjidhjen e problemit të Kosovës, të shkarkojë struktura të tëra partiake dhe të vendosë strukturë klienteliste.

Mbi të gjitha, mund të befasohet me vetveten, nëse i kthehet së kaluarës së tij premtuese, mbi një platformë të proklamuar, e cila më nuk është projekt i Albin Kurtit, përfshirë këtu edhe mbylljen e gojës karshi të gjitha ofendimeve që iu bënë atij në parlament dhe me vezët e tashme, për një “qëllim madhor”.

Sepse, tashmë ai ka ardhur në pushtet dhe duhet të pajtohet me gjithçka kundër tij… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË