Rrëfime të ndryshme bëhen ndërmjet studentëve një mbrëmje në oborrin e konvikteve në Prishtinë.

Në “debat” marrin pjesë të dy gjinitë. Djemtë thonë se femrës duhet dhënë dajak, gjë që vajzat reagojnë, aq sa muhabeti bëhet herë-herë i këndshëm, e herë-herë arrin edhe në pikën e vlimit, shkruan “Kosovarja”.

Duket se femrat janë tema më e rëndësishme në ndejat me studentë. Kjo është e zakonshme dhe ata sikur relaksohen edhe kur flasin mirë për femrat, por edhe kur flasin keq.

Ajo që e bën të bukur këtë ndejë është pjesëmarrja e të dy gjinive në këtë “debat”. Prandaj, shpesh biseda arrin edhe në pikë vlimi, sidomos nga vajzat.

Meshkujt duan gra apo kukulla?
“Femra e Vetonit boll e bukur, por shumë budallicë! Sa ta hapë gojën të flasë e prishë krejt!”, thotë Jeta, njëra nga vajzat pjesëmarrëse në ndejën në oborrin e konvikteve në Prishtinë.

“Po-po, të gjitha femrat janë ashtu. Kur i sheh nga larg thotë njeriu ta merr e ta dërgojë menjëherë në shtëpi. E, kur flasin e prishin krejt”, thotë Bliri.

“Hajt bre, lëri ato llafe e mos më prek në tel se ju meshkujt keni dëshirë që femra të jetë sllave për t’ua plotësuar të gjitha dëshirat dhe nevojat tuaja!”, thotë Linda.

A janë meshkujt peshkaqenë?
“Njëmend, çka do të bëni ju, po të mos ekzistonin femrat?!”, pyet Jeta dhe vazhdon: “Meshkujt janë si peshkaqenë, veç shikojnë ku të të kafshojnë dhe cila është viktima e radhës!

A mendoni, ore, që ne femrat jemi të ndjeshme kur dashurojmë?! Seriozisht, është shumë e pandershme kjo që bëni ju”.

“Jo bre, nuk është ashtu, e tash po flas seriozisht. Edhe ne, meshkujt, dashurojmë. Madje, kur dashuron një burrë, dashuron shumë më fuqishëm se një femër dhe është në gjendje të bëjë gjithçka për dashurinë.

Ama, sa për do femra që po i ndërrojnë frajerat çdo ditë e bëhen se po vuajnë, s’kam qejf t’ua fal as sekondën!”, thotë Luani, të cilin, pas këtyre fjalëve, e mbërthen një e qeshur sa edhe i mbanë brinjët.

Ke folur si Igballe Rugova!
“Unë mendoj se djemtë e mençur e kuptojnë se për të jetuar një jetë të mirë, u duhet një grua e mençur.

Gruaja më nuk do sundim. Ajo dëshiron të jetë e lirë. Thjesht, i pëlqeu kjo apo jo dikujt… Ato tash punojnë dhe nuk janë të varura nga askush”, thotë me krenari Jeta.

“Ke folur si Igballe Rugova!”, tallet Luani dhe vazhdon: “Mos harroni çika, e vazhdojmë nesër mbrëma muhabetin se sonte u bë vonë”.

Dhe, fill pas këtyre fjalëve, vajzat drejtohen kah konvikti i tyre e djemtë kah konviktet e djemve, me një “natë të mirë” nëpër dhëmbë. Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË