Në Podujevë 60 për qind e popullatës është moshë e re, ashtu si ndodh edhe në komunat e tjera të Kosovës. Papunësi e madhe, si kudo tjetër në Kosovë. Në mungesë të vendeve të punës, ëndrrat e të rinjve thyhen, ambiciet zbehen. Plagosja e këtyre ëndrrave shkakton vragë, që shprehen me depresion, shkruan “Kosovarja”.

E, perspektivën të rinjtë e kësaj komune, por edhe të komunave të tjera të Kosovës, e gjejnë në filxhanin e kafes, në makiatot që i gjen në çdo lokal të kësaj komune, e që janë me bollëk.

Të rinjve llapjanë, edhe pse kaluan 20 vjet nga lufta, u mungon shumëçka që kanë moshatarët e tyre, bie fjala, në Prishtinë.

Shumicën e kohës të rinjtë llapjanë e kalojnë në kafiteri apo në rrugë duke shëtitur. Megjithatë, nuk u mungon shpresa për ditë më të mira, edhe pse drita nuk shih as në fund të tunelit…

Besimi, Drita, Nita e Shqiptari dhe shumë të rinj të tjerë të kësaj komune, mendojnë se në Podujevë mungojnë kushtet elementare për jetë, e të mos flasim për argëtim…

Megjithatë, rruga kryesore e Podujevës çdo ditë gumëzhin nga të rinj, aq sa nuk di njeriu a është kohë mësimi a kohë pushimi, ngase kudo hasësh në nxënës e të rinj të tjerë që tërë ditën bredhin poshtë-lart, pa pasur idenë se si ta shpenzojnë kohën, energjinë dhe si të bëjnë me jetën që nuk u ofron shumë…

“Paj, s’po kemi ku të rrimë! Në kafiteri po pimë makiato, po bisedojmë… Po shëtisim si “ushtarët në grupe” rrugëve…”, thotë Besimi, i cili vitin e kaluar e ka kryer shkollën e mesme dhe nuk ka pasur mundësi të regjistrohet në fakultet, sepse nuk e ka dhënë provimin pranues.

Edhe pse në moshë të mirë për punë, ai nuk sheh perspektivë në Podujevë, veç me ia ther diku jashtë.

Sepse, siç thotë ai, veç kafiteri dhe femra kemi me bollëk. Të tjerat na mungojnë…

Besimi ankohet se pak nga ata që i njeh, e që e kanë kryer fakultetin, punojnë në institucione të komunës.

Kush ka pasur të njohur punon në ndonjë lokal, ndokush në studime, e të tjerët shëtisin rrugëve të Podujevës me ndonjë cent në xhep, e ka të tillë edhe pa asnjë cent!

Por, Besimi nuk i ka humbur shpresat se sivjet do del edhe ndonjë vend pune për të, siç thotë:

“S’paku mund të largohem për tetë orë nga rruga dhe thashethemet e shëtitjet pa lidhje…”.

Besimi, ndërkaq, mendon se Podujeva mbetët ndër komunat më të pazhvilluara me faktin se mungon ekonomia e këtij qyteti, që do të hapte vende të reja pune.

Sipas tij, por edhe sipas Dritës e Nitës, nxënëse të shkollës së mesme, Podujeva edhe më tutje mbetët pa jetën e organizuar kulturore dhe argëtuese për të rinjtë, për moshatarët e tyre.

E deri kur, mbetët të shihet… Sepse, dritë nuk shihet as në fund të tunelit! Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË