Dhe sot, me çdo individ, mik që rri a bisedoj, tema thuajse kryesore është politika, një dukuri e njohur për mjediset ballkanike.

Dhe, gjatë çdo debati apo argumenti që dëgjoj, më kujtohet shprehja e të madhit Vinston Çerçilit, se ballkanasit prodhojnë më tepër politikë sesa konsumojnë…

Kam pas menduar se kur të çlirohemi nga serbët, të cilët na e kanë hëngër shpirtin përditë, do ta lëmë politikën, do frymojmë ndryshe, do jetojmë pa e zënë politikën në gojë, në ndeja…

E përditshmja jonë veç me politikë
Siç thotë njëri: me politikë e gjeta këtë jetë, u rrita dhe po vdes e po mbetëm pa e ditur se ç’po bëhet me ne…

Gati po bëhet një shekull qëkur intelektuali më i madh shqiptar, të cilin jo vetëm unë e kam më të çmuarin, më të dashurin, por është edhe shembulli më emblematik i oponencës sonë kombëtare, Faik Konica, e kishte lutur Zotin që ta ruante Shqipërinë nga shqiptarët.

Kjo lutje edhe sot e kësaj dite, për fat tonin të keq, ka kuptim shumë, madje, na bën që vazhdimisht ta kuptojmë dhe ta përsërisim…

Pse, edhe sot kuptimplote lutja e të madhit Konicë?
Në njërin nga librat e mendimit pozitiv, të cilët tash janë në modë dhe që shiten e lexohen më së shumti, lexoj një faqe, ku, përveç të tjerash, shkruan:

“Sapo të zgjoheni, lirojeni trupin plotësisht dhe thoni me koncentrim, me mendime ose me fjalë: Sot është ditë e mrekullueshme. Sot çdo gjë do t’më shkoj më mirë e më mbarë. Jam në gjendje të mirë fizike, psikike dhe emocionale. Të falem nderit o Zot për të gjitha të mirat që m’i ke dhënë!”.

Pas leximit të këtyre fjalëve, s’di pse mu dha gazi dhe e qita veten në vendin e një njeriu që lufton me fukarallëkun e vet, e, i cili, sigurisht, do të shkruante ndryshe.

Ndoshta, kështu: “S’ka pjesë trupi që s’po më dhemb, por s’po kam qare pa u qua e me dalë që ta fitoj bukën për fëmijë. Sot qenka ditë e vrerët e drojë mos s’do gjej punë. Deri kur kështu i papunë? U plaka duke pritur se do të bëhet mirë.

Të faleminderit, o Zot, që na e dhe lirinë!
Por, bë diçka me këta pushtetarët tanë, që të mendojnë e punojnë pak edhe për ne, fukarenjtë, e jo vetëm për vete!”. Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË