Një vend si yni, ku ka kuptim soll pushteti, por jo edhe shteti, zor e kanë të na ndihmojnë edhe ata që kanë vullnet të mirë për ta bërë këtë, shkruan “Kosovarja”.

Mbase është e njohur maksima – çdokujt mund t’i marrësh me dhunë gati çdo gjë, por askujt nuk mund t’i japish me dhunë asgjë!

Se është kështu flet edhe gjendja, situata e krijuar qe njëqind ditë e fiu! Edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit, e deri tash, nuk po mund të formohet qeveria, e ashtuquajtura – e shpresës.

Dëshmi kjo se, vërtet, te ne, në Kosovë, nuk mendon kush për shtet, por vetëm për pushtet!

Në këto rrethana është edhe e pandershme të fajësohen ndërkombëtarët. Faji është yni.

Si gjithmonë dhe gjatë gjithë historisë – asnjëherë të korrigjuar nga gabimet e të kaluarës! Të papërmirësueshëm si dje, si sot!

*
Pakënaqësia e qytetarëve, mosbesimi dhe zhgënjimi nga institucionet është gjithnjë duke u shtuar, duke u rritur.

Veprimet e pandryshuara pas zgjedhjeve qe tre muaj, ka bërë që edhe fjala shtet të mos ketë aq rëndësi, siç është dashur ta ketë, siç edhe e kemi menduar e pritur…

E, jeta e qytetarit përditë e më e zorshme. Numri i të papunësuarve veç sa rritet, sikur edhe i atyre që po ikin nga Kosova për një jetë më të mirë.

E çuditshme, edhe në këtë kohë, edhe pse pa qeveri, rrallëherë institucionet tona shpallin konkurs publik për punësim, ndërsa përditë punësohen punëtorë të rinj!

Pra, punësohen pa konkurs publik! Punësohen ata që janë të afërm të menaxhmentit, të politikanëve e të tjerëve që kanë poste, ani pse janë në largim e sipër.

Dhe, në ato institucione mund të takohesh me filanin a filanen, që është mik, dhëndër, kunatë, baxhanak, dashnore a sebep tjetër, me dikë që është në krye të atij institucioni publik a politik!

“Vallahi, bre dost, veç mund t’i dorëzosh dokumentet, se as ymyt mos mbaj se mund të punësohesh në atë vend pune, në të cilin një fisnike ka kohë që punon…”, më thotë Rexhep Gashi, fjalët që ia kishte thënë njeriu që punonte në sportelin e institucionit ku kishte konkurruar.

Rexhepi i ka kaluar të dyzetat. Ka diplomuar juridikun qe nëntë vjet. Është i martuar. I ka dy fëmijë. Qe sa vjet endet duke konkurruar gjithkund, ku edhe dëgjon se është hapur konkurs. Por, kot.

“S’kam kurrfarë lidhje, o vëlla!”, më thotë i zhgënjyer dhe i pashpresë se do gjej punë.

Andaj, jeta ia imponon të mendojë ta lëshojë Kosovën…

E, ky është vetëm një nga shumë të rinj kosovarë, të cilët qe njëzet vjet janë mbushur me premtimet e liderëve dhe gjithnjë e më shumë po e humbin durimin…

*
Njerëzit që janë të varfër, të uritur, nuk frustrohen me jetën, jo.

Ata nuk mund të jenë të frustruar. Ata nuk kanë jetuar ende. E, si, atëherë, mund të jenë të mundur?

Ata e kanë shpresën. Skamnori përherë e ka shpresën. Skamnori gjithmonë shpreson se diçka do të ndodhë – nëse jo sot, atëherë nesër.

E, në qoftë se jo në këtë jetë, atëherë në jetën tjetër…
Eh, në jetën tjetër!

*
Lutja Zotit, s’duhet të thuhet më: “Falna mëkatet tona!”. Por: “Ndëshkona, o Zot, për paudhësitë tona!”

*
Ish kanë hip nji bubrrec mbi guri të mullinit, i cili edhe sillej. E sheh gjinkalla dhe e pyet:

“Çka je tu ba aty, o bubrrec?”.
“Qe, valla, po e sjelli qet guri të mullinit!”, iu gjegj bubrreci.

“Qy-qy, bytha jote gurin e mullinit?!
Po, hajt e sille në tjetrën anë!”.

“Po e sjelli kah m’duhet mue!”, ia kthen buburreci. Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË