Fund i një motmoti. Fund i vitit 2019.

Ishte ky vit, varet për kë, ishte qysh ishte: I lehtë, i vështirë, i mirë, i keq, i mbrapshtë, i mbarë, i dhembshur, i lumtur…
Megjithatë, i takon vitit që po ikën, i takon të djeshmes, të shkuarës, që s’kthehet më.

Çdoherë, me këtë rast, në këso momentesh, në vigjilje të kremtes së Vitit të Ri, shkruanim këtë shkrim me pak fjalë, paksa më festiv, paksa më me mall, nostalgji, romantikë…

U ktheheshim ditëve, muajve, momenteve që i përjetonim brenda vitit.

Shkruanim për skamnorët se si do e presin këtë natë kremteje, pranë sofrës së tyre të thatë, me bukë e çaj, kurse të pasurit në ahengje, me tryeza plot, me muzikë, me sevda…

Fund dhjetori, para festës së motmotit. Prapë, edhe sivjet, me më shumë të varfër e me më shumë të pasur.

Do thoshim, po de, jeta është e tillë – askund, kurrë të gjithë të barabartë. Pajtohem edhe me thënien: Nuk do të kishte në botë kaq varfëri, sikur të ngopeshin të pasurit.
Nuk dua një fund dhjetori me drita, ndriçime të rrugëve, por një fund dhjetori me njerëz që ndriçojnë nga lumturia, jeta më e mirë… Gëzuar – për ditë më të mira në vitin që po hymë!

Ndodh të dashurohesh me errësirën kur të mungon drita.

Të jetosh me ëndrrën kur s’të pëlqen realiteti.

Të bashkohesh me dhimbjen kur nuk gjen gëzimin.

Të flasësh me heshtjen kur nuk të vijnë fjalët.

Të mësohesh me pritjen kur vonon ardhja.

E ti i dorëzohesh durimit nëse e ke humbur shpresën…

Gëzuar – për shpresën të bëhet realitet!

Të gjithë duan ta ndryshojnë botën, por askush nuk dëshiron ta ndryshojë veten.

Shpeshherë më vjen dëshira të ikë larg, shumë larg, sa askush atje s’do më njoh, ku nuk mund të shoh fytyra miqësore me qëllime djallëzore, të jem i huaj mes të huajve… Pse? Sepse tash, kur jetoj në ditë lirie, në Kosovën e lirë, në Kosovën e pavarur, çdo gjë shkon mbrapsht…
Gëzuar – për një vit me më pak dyfytyrësha!

Ka ardhur një kohë kur njerëzit i duan, shembull, pesë gjëra, por i harrojnë pesë të tjera:

I duan krijesat, kurse e harrojnë Krijuesin.

E duan pasurinë, kurse e harrojnë llogarinë.

I duan mëkatet, kurse e harrojnë pendimin.

I duan pallatet, kurse i harrojnë të varfrit.

Duan ta kenë krejt botën të veten, por bota nuk është vetëm e një njeriu!

Gëzuar – për botë më të mirë!

Gëzuar! Gani Dili / Kosovarja /

MUND TË JU PËLQEJNË