Akterët e të dy partive fituese kanë nisur të shpalosin detaje, e që lidhen me të parin e qeverisë. Lutfi Haziri ka rikujtuar se Vjosa Osmani është më e votuar se Albin Kurti, i cili në nivel të partisë është fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, shkruan “Kosovarja”.

Ndërkaq, në anën tjetër, Glauk Konjufca, i “Vetëvendosjes”, ka thënë se nëse “Vetëvendosja” nuk arrin marrëveshje me LDK-në, shkohet në zgjedhje të reja.

Megjithatë, matematikat për bërjen e qeverisë me apo pa Kurtin ka sinjale diplomatike se mund të sjellin befasi.

Në SHBA normale do të ishte të kishte shkuar Albin Kurti. Pse nuk është atje Albini? Kjo të jep të kuptosh se diçka nuk është në rregull…

Sidoqoftë, Albin Kurti nuk mund ta bëjë qeverinë pa LDK-në, edhe po të ketë përsëri zgjedhje.

Në SHBA LDK-ja mund të ketë marrë sinjale se me VV-në duhet bërë qeverinë, duke mbetur në bashkëpunim konstant me SHBA-të, për çka, me siguri, Vjosa Osmani është duke u konsultuar apo duke i kuptuar vijat e kuqe.

Nëse, realisht, zonja Osmani nuk është ftuar në Stejt Department për “teze”, atëherë del qartazi se LDK-ja duhet ta mbajë vijën korrigjuese të Albin Kurtit, si parti në koalicion, e cila duhet të mos i kalojë disa tema, si thoshte Ramushi shpesh.

SHBA-të dhe BE-ja mund të shohin se jo gjithçka e Albin Kurtit, nga koncepti dhe bindja e tij politike e thënë në fushata, mund të kalojë jashtë bindjes dhe planit amerikan për zgjidhjen e nyjës Kosovë-Serbi, për çka pritet të rinisë dialogu posa të formohet qeveria e re.

Ndonëse ambasadorët e fuqishëm fillimisht e mbështesin z. Kurtin, kjo ka të bëjë me kurajën për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por, gjërat që duhen zgjidhur në terren, Albin Kurti është “arrë” e fortë për bashkëpunim me Perëndimin, sa i përket zbatueshmërisë së projektit Kurti, në përgjithësi.

SHBA-të dhe BE-ja duan “arrë” më të butë dhe se administrata e presidentit Tramp, me pajtimin e zhdukjes së kurdëve, e që ishin aleatë amerikanë, tregon se mund të jetë përafërsisht e njëjta edhe për shumëçka në Ballkan.

Andaj, duhet të përshpejtohet me numrin e votave dhe t’i jepet fund procesit të numërimit, ashtu që të mundësohet bërja e qeverisë së re.

Sepse, populli ka votuar për ndryshime dhe ato duhet të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur… Safet Krivaça /Kosovarja/

 

MUND TË JU PËLQEJNË