Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së nesërme do të udhëtojë për në SHBA.

Këtë për Gazetën Blic e kanë konfirmuar burime mirë të informuara nga qeveria. Gazeta Blic ka tentuar të marrë edhe një përgjigje zyrtare nga Qeveria lidhur me udhëtimin e tij për në SHBA, por asnjë zyrtarë nga ekzekutivi nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë.

Nuk dihet arsyeja e vizitës, por besohet se kryeministri, Ramush Haradinaj do të udhëtojë në SHBA për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Ndryshe, i pari i ekzekutivit në janar të këtij viti pati pranuar para mediave se i është vështirësuar puna e shkuarjes në SHBA pas klimës së krijuar me vënien e taksës ndaj produkteve serbe.

“Qejf kom pasë edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, pati thënë Haradinaj gjatë konferencës për media pas një mbledhje të Qeverisë.

Deputei i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka përmes një statusi në Facebook ka paralajmëruar shkuarjen e Haradinajt për në SHBA.

Zeka në një prononcim për Gazetën Blic edhe njëherë ka konfirmuar vizitën e Haradinajt në SHBA.

“Po të premtën ai do të udhëtojë në SHBA. Atje do të takohet me disa zyrtarë të Amerikës dhe disa mërgimtarë. Këtë ma kanë konfirmuar burimet e mia ndërkombëtare, se unë nuk informohna prej këtyre tonë. Nuk besoj që do të flitet për taksë, se na Mercedesa nuk prodhojmë. Por do të jetë një takim besoj i natyrës tjetër”, ka thënë Zeka për Gazetën Blic.

Ndryshe, ndaj të parit të Qeverisë presioni është shtuar që nga vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Madje, për këtë në Kosovë pati edhe vizita të zyrtarëve të lartë të SHBA-së, Britanisë e Gjermanisë.

Por, edhe përkundër këtyre presioneve taksa 100% vazhdon të mbetet si kusht, siç thotë Haradinaj, deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë./Gazeta Blic/.

MUND TË JU PËLQEJNË