E kishim dikur një ekip topi të volejbollit dhe luanim edhe në vitet e masave të dhunshme të Serbisë dhe kështu i bënim paralelizëm Serbisë. Policia serbe na ndiqte. Dhe, kur donte edhe na zinte… Por, kur nuk donte pinte kafe afër nesh, shkruan “Kosovarja”.

Në raportin e tyre ditor, me siguri, duhej të shkruanin diçka… E, ajo diçka ishte të nda ndiqnin neve teksa luanim top…

Ata donin të na gjenin ndryshe, por ne nuk bënim ashtu… Ne kishim punën tonë. Rëndësi i kushtonim shëndetit. Por, edhe i tregonim Serbisë se ishim këtu për të zhvilluar aktivitete nën pushkën e tyre…

E, sa herë luanim në sallën “Selami Hallaçi” në Gjilan, e kemi pasur një fans me emrin Bibë, që vinte gjithmonë të na përcillte. Por, ai ishte me defekte në krye.

Kur humbnim lojën, ai skuqej në fytyrë dhe bëhej all… E, kur e pyetnim pse skuqej, thoshte se e kishte kapluar një munim i brendshëm!

Dhe, sot, teksa kthehesha në zyre, dy të rinj qëndronin prapa disa veturave. Dhe, zakonisht, dihet se çka bëjnë aty: e mbështjellin nga një “tym të djallit”!

Më dhembi në shpirt kur i pash se çka mbështillnin, sidomos kur e solla në mendje se edhe im bir është i moshës së tyre…

T’u them cilat janë pasojat, apo të mos u them?
T’i qortoj apo të mos i qortojë?

Të rritur, thashë me vete, mund t’më rrahin nëse e teproj!

Edhe një babë, me emrin Ahmet, i kishte thënë përditë djalit të vet mëso. Por, një ditë djali nervozohet dhe i thotë: “Ahmet, ndoshta je kah e tepron pak!”.

Atëherë, ai, Ahmeti, i thotë vetes: “Vallahi edhe djali e kuptoi se e teprova!”.

Megjithatë, u thashë: “Djema, po ua tregoj një barsoletë, e që e kam dëgjuar që moti. Një plakë kalon pranë do shkallëve prej betoni dhe i sheh disa të rinj ulur mbi to.
“Çka po bëni aty, loke?”, u thotë ajo.

Ata i thonë – po pimë duhan. Në fakt, ata pinin diçka tjetër, por nejse…

Plaka e merr vesh se nuk pinin duhan, por… u thotë: “Pini çka të doni, pos mbi beton mos u ulni!”.

Dhe, derisa ua tregova këtë barsoletë të rinjve që ndodheshin para meje, njëri prej tyre më: “Edhe pula qorre e qëllon ndonjëherë kokrrën!”.

Pas këtyre fjalëve hyra në zyrë pa u thënë gjë tjetër dhe, ndërkohë, më kapi një siklet…

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë bëhesha nervoz… Vendi-vend nuk më zihej. Po t’u thosha e kam për të mirën e tyre, kushedi sa kanë pirë e ma thonë ndonjë fjalë të keqe…

Por, edhe po të mos u them gjë, ndihesha në siklet se më brente ndërgjegjja se si t’u dilja në ndihmë…

E, edhe unë, me këtë “munim të brendshëm”, e që ma dhuruan ata dy të rinj, me siguri, nuk e kam mirë…

Çka do të ndodhte nëse nuk pi askush “tym”?

Çka do të ndodhte nëse nuk ka vjedhje të votave?

Çka do të ndodhte nëse nuk do ekzistonte pabarazia?

Çka do të ndodhte nëse nuk do e kishim mik Amerikën?

Çka do të ndodhte nëse nuk do kishim dashuri “të ndaluara”?

Çka? Çka? Çka? Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË