Kanë biseduar nja tre muaj për koalicion parazgjedhor VV-ja dhe LDK-ja, por nuk kanë arritur të merren vesh për shumë gjëra. Janë duke biseduar edhe qe tre muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe përsëri nuk po mund të kuptohen, shkruan “Kosovarja”.

Dy partitë që morën më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, është mirë t’i mbyllin sytë e të mos i shikojnë vetëm interesat personale dhe grupore. Tashmë po dihet haptazi se qëllimi i këtyre dy partive nuk është qeverisja e mirë!

Nuk është se po bëjnë qeveri për luftimin e korrupsionit, e as për ndryshime!

Slogani i VV-së: “Erdhi dita!” dhe ai i LDK-së: “Besoni!” po shkrihen si vesa kur del dielli…

Shtrohet pyetja: Si do e luftojnë krimin dhe korrupsionin këto parti, që nuk po mund të merren vesh si ta ndajnë pushtetin?

Si kanë për t’i ndryshuar gjërat, kur shihet qartë se i kanë hyrë pazarit për pushtet?

Duan të qeverisin bashkë, duke e mashtruar njëri- tjetrin me pozita qeveritare!

Albin Kurti po mendon se e mashtron LDK-në, duke ia marrë të gjitha pozitat e rëndësishme! E, këtë nuk e kapërdin LDK-ja me përvojë të gjatë politike…

Sidoqoftë, VV-ja dhe LDK-ja, vërtet, janë bërë bajat me përpjekjet për formimin e qeverisë!

Kontaktojnë, bisedojnë e bisedojnë dhe në fund – kot! Nuk kanë marrëveshje!

Qe gjashtë muaj bisedime dhe nuk u shihet fundi… Veç nëse e kanë ndonjë zor të madh, përndryshe po dihet që nuk do ketë marrëveshje!

Dhe, çdo gjë e ka minuar Albin Kurti! Ai e ka pasur në lojë LDK-në tërë kohën, sa edhe e bëri Konjufcën kryetar të Kuvendit të Kosovës!

E, nga ai moment e ka minuar mundësinë për marrëveshje me LDK-në.

Partia e Isa Mustafës tashmë nuk llogaritet fajtore për dështimin e marrëveshjes VV-LDK, sepse Kurti ia mori një pozitë të rëndësishme që ishte paraparë t’i takonte LDK-së!

E, edhe nëse formohet qeveria Kurti me LDK-në, kjo do të jetë një qeveri më shumë e imponuar nga faktori i jashtëm, i cili kohëve të fundit, megjithatë, është shumë pasiv…

Sidoqoftë, të dy partitë nuk kanë lënë shije për besim reciprok edhe nëse e formojnë qeverinë…

Në anën tjetër, Albin Kurti nuk mund të matet me LDK-në! Ai është vetëm një njeri. E, parti me një njeri nuk ka askund!

LDK-ja, në anën tjetër, është parti me kuadro të dëshmuara për kualitet e qeverisje…

Kurti dikur i thoshte Kadri Veselit “Dil e matu, pse nuk po del të matesh?!”. Tash po ato fjalë vlejnë për të… “Dil e matu me LDK-në!”.

Ai po dëshiron ta formojë qeverinë, por nuk po mund të matet me Isa Mustafën!

LDK-ja, në anën tjetër, vetëm një gjë duhet ta bëjë: Të del e të thotë publikisht se më nuk do bisedime me VV-në!

Sepse, LDK-ja edhe ashtu ka mundësi ta formojë qeverinë me të tjerët. E, kur jemi te formimi i qeverisë, LDK-ja nuk humbë asgjë nëse përsëri shkon me partitë tjera, konkretisht me PAN-in.

Andaj, nëse LDK-ja nuk shkon në qeveri me VV-në, duhet ta zgjedhë një rrugë, sepse me Albin Kurtin më nuk ka shije të bëjë qeverinë! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË