Kancelaria gjermane, Angela Merkel, ka njoftuar se do të heqë dorë nga posti drejtues i partisë Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) pas 18 vitesh në këtë detyrë.

Merkel ka treguar para zyrtarëve se ajo nuk synon që të kandidojë për pozitën e drejtueses në zgjedhjet e brendshme të partisë që pritet të zhvillohen gjatë muajit dhjetor.

Por ajo e ka theksuar se dëshiron të vazhdojë punën si kancelare e Gjermanisë, detyrë që është duke ushtruar që nga viti 2005, shkruan CNN.

Ky njoftim shfaq fuqinë e dobësuar të Merkelit brenda partisë që ajo e udhëheq si dhe shfaq dobësimin e popullaritetit të saj në vend.

Të dyja partitë e koalicionit qeverisës, CDU dhe SPD, kanë pësuar humbje të mëdha gjatë zgjedhjeve rajonale që u zhvilluan së fundmi.

Merkel ka pranuar se votuesit kishin humbur besimin në qeveri dhe se ishte detyra e saj për ta rikthyer besimin e qytetarëve.

“Unë do të punoj në atë drejtim me aq sa kam forcë”, ka thënë Merkël.

Që të dyja partive të koalicionit qeverisës u është dobësuar mbështetja popullore që nga kriza e refugjatëve e vitit 2015. Këto parti janë kritikuar ashpër nga opinioni publik gjerman për keq menaxhim të fluksit të refugjatëve./klankosova/

 

MUND TË JU PËLQEJNË