Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë pasur sot një videokonferencë, në të cilën kanë biseduar për nevojën e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Siç bëhet e ditur nga zyra e kancelares Merkel, kancelarja mirëpriti gatishmërinë e presidentit serb për të hyrë në një dialog të ndërmjetësuar nga BE për heqjen barrierave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës.

Po ashtu në deklaratë thuhet se kancelarja Merkel mirëpriti gatishmërinë e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit për menagjimin e integruar të kufijve, të cilat duhet të fillojnë me vënien në punë të pikëkalimit të Merdares. “Presidenti Vuçiq këmbënguli në plotësimin e të gjitha dispozitave te Marrëveshjes së Brukselit”, thuhet më tej në deklaratë.

Kancelarja dhe Presidenti serb janë shprehur edhe për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut të normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë dhe Presidenti Vuçiq ka premtuar se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për ta bërë këtë dialog të suksesshëm dhe për të shmangur pengesat e ndërsjella, në mënyrë që të krijojë një atmosferë konstruktive dhe të hapur për bisedimet.

Takimi Merkel Vuçiq ishte pritur të zhvillohej qysh të hënën në Berlin, por për shkak të krizës së pandemisë së coronavirusit ai u zhvillua të mëkurën me videokonferencë.

MUND TË JU PËLQEJNË