Përderisa ndonjërit prej politikanëve kosovarë ndërrimi i partisë i ka sjellë beneficione dhe, gjithashtu, edhe pozitë më të mirë, disa të tjerë nuk kanë arritur asnjëherë të ambientohen në partitë e reja dhe ikja nga partia e parë për ta ka qenë “vetëvrasje” politike. Shembuj të tillë në skenën politike kosovare ka me bollëk, siç ka edhe shumë raste kur “jo partiakët”, “joqeveritarët” dhe “të paanshmit” brenda natës kanë ndërruar gëzofin politik, shkruan “Kosovarja”.

Si rrallë kund në rajon dhe në botë, politikanët e Kosovës, me prirjet e tyre, u ngjajnë endacakëve. Ata se kanë fort dert nëse brenda natës i ndërrojnë partitë e as profesionet, ndërkaq nuk kursejnë kritika dhe të shara as për partinë që e kanë braktisur!

Përderisa ndonjërit prej tyre ndërrimi i partisë u ka sjellë beneficione dhe, gjithashtu, edhe pozitë më të mirë, disa të tjerë nuk kanë arritur asnjëherë të ambientohen në partitë e reja dhe ikja nga partia e parë për ta ka qenë “vetëvrasje” politike.

Shembuj të tillë në skenën politike kosovare ka me bollëk, siç ka edhe shumë raste kur “jopartiakët”, “joqeveritarët” dhe “të paanshmit” brenda natës e kanë ndërruar gëzofin politik dhe e nesërmja i ka gdhirë në parti të tjera!

Hiç keq se kanë lënë edhe disa ushtarakë, të cilët, çuditërisht, në Kosovë se kanë fare lehtë që t’i palosin uniformat dhe t’i qasen politikës!

Në vijim, ja disa prej figurave politike të Kosovës, të cilët kanë manifestuar shprehi më të theksuara të ndërrimit të mjediseve politike…

Hydajet Hyseni, prej ilegalisti nga një parti në tjetrën!
Hydajet Hyseni, apo Hyda, siç e thërrasin shkurt, ndoshta prinë me numrin e partive të ndërruara deri më tash.

“Djaloshi” më 11 mars l981, me kapelë në kokë e me mustakë fals dhe me megafon në dorë, kishte bërë thirrje gjatë demonstratave në qendër të Prishtinës kundër Serbisë. Dhe, fill pastaj e pret burgu…

Si ish-i burgosur politik, Hydajet Hyseni, fillimisht, kishte qenë themelues i Organizatës Marksiste-Leniniste dhe kishte vepruar në ilegalitet, duke u bërë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK.

Kur qe themeluar LDK-ja, në vitet 90, ai, bashkë me një pjesë të kolegëve të tij, gjithashtu ish-të burgosur, qenë rreshtuar në LDK. Madje, mori edhe postin e nënkryetarit të LDK-së deri në dhjetor të vitit 1994, kohë kur edhe largua, pasi Ibrahim Rugova ishte distancuar prej tij dhe disa të tjerëve si ai, e të cilën parti ai më vonë e kritikon ashpër!

Pas lufte ai e vazhdon karrierën politike në Lëvizjen për Bashkim Demokratik të Rexhep Qosjes, duke mbajtur pozitën e nënkryetarit.

Më vonë kalon në PDK, duke marrë pozitën e anëtarit të Kryesisë. Me këtë parti ai u bë edhe deputet.

Por, pasi ishte prishur me Hashim Thaçin, Hyseni vendosë të hyjë në Partinë e Albin Kurtit, pra në “Vetëvendosje”.

Edhe kjo parti i ka dhënë pozitë të rëndësishme, duke e bërë Kryetar të Këshillit të Përgjithshëm të Partisë.

Bujar Bukoshi – nga kryeministër në harresë!
Nëse dikujt i ka kushtuar shumë bredhja në politikë, ky është Bujar Bukoshi. Si zyrtar i lartë i LDK-së, Bujar Bukoshi e kishte udhëhequr deri në mbarim të luftës Qeverinë e Kosovës në ekzil.

Ai gjatë gjithë asaj kohe ishte edhe në krye të hierarkisë së LDK-së.

Pas mbarimit të luftës Bukoshi kthehet në Kosovë dhe nën presionin e madh të politikanëve të dalë nga lufta, ai detyrohet që të deklarohet për kontributet që kishte mbledhur në fondin e 3 përqindshit, që kishte nisur që nga viti 1991.

E, në këtë kuptim, Bukoshi, themelon Unionin e Fondeve të Republikës së Kosovës, i njohur si UFORK.

Dhe, meqë raportet e tij me kreun e LDK-së ishin ftohur pas lufte, Bukoshi në vitin 2002 shkurorëzohet nga LDK-ja dhe me disa përkrahës të tij formon Partinë e Re të Kosovës, e njohur shkurt si “PReK”.

Bukoshi, i cili njihet si njeri i drejtpërdrejtë dhe guximtar, duket se me këtë hap i jep në të njëjtën kohë një goditje të rëndë karrierës së tij politike, meqë zgjedhjet e vitit 2004, të parat në të cilën ai e provon veten si lider jashtë LDK-së, tregojnë se ai s’ka pasur pas vetes as njëpërqindshin e votuesve kosovarë!

Dhe, këto zgjedhje e shndërrojnë Bukoshin në politikan të rëndomtë dhe pa ndikim në skenën politike kosovare.

Edita Tahiri – nga “ministre e jashtme” në politikane pa ndikim!
Nëse dikush nuk e ka mësuar anekdotën që thotë se “delja që ndahet prej tufës e ha ujku”, kjo, pa dyshim, është politikania Edita Tahiri!

Si zyrtare e lartë e LDK-së, ajo kishte arritur një reputacion të madh politik për vite të tëra, duke qenë edhe këshilltare për politikë të jashtme e ish-presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Edita aq shumë kishte udhëtuar nëpër botë në kohën e shtetit paralel të Kosovës, sa dikur të gjithë e njihnin si ministre e punëve të jashtme të Kosovës.

Pas lufte i mbetet besnike LDK-së, duke u bërë edhe deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001, për t’i rënë pishman kësaj pune e filozofie më vonë, kur më së paku pritej prej saj.

Edita nuk voni shumë dhe ia ktheu shpinën LDK-së, kurse në vitin 2004 ajo do formojë bashkë me Edi Shukriun një parti të re – Aleancën Demokratike të Kosovës (ADK), e që në zgjedhjet e vitit 2004 nuk e fitoi as njëpërqind të votuesve!

Kjo bëri që “ministrja e jashtme”, dikur e fortë në LDK, të shndërrohet në një politikane pothuaj pa ndikim në skenën politike kosovare.

Donika Kada-Bujupi, sa në një parti sa në tjetrën!
Elegante, me zë të butë, por detyra që e pat në fillim si zëdhënëse e KEK-ut, e ka detyruar të japë më shumë lajme jo të mira, meqë ishte një kohë kur popullata e Kosovës më shumë ishte në terr sesa në dritë.

E, si nisi me politikë?
Ajo punën si politikane e nisi në AAK, që nga themelimi i kësaj partie dhe ishte e zëshme me qëndrimet e saj. Ishte përkrahëse e madhe e udhëheqësit të kësaj partie, Ramush Haradinajt, aq sa edhe publikisht qau me rastin e shkuarjes së Ramush Haradinajt në Hagë.

Por, gjërat ndryshuan më vonë. Ajo dha dorëheqje nga AAK-ja!

Dhe, dorëheqja e Donika Kadaj-Bujupit, deputetes dhe, njëkohësisht, Shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga kjo parti, erdhi menjëherë pasi u shënua “Epopeja e Dukagjinit” në Glloxhan!

Largimi i saj nga AAK-ja lidhej drejtpërdrejt me shkuarjen e saj në homazhet e Glloxhanit.

Si duket, nuk i pëlqeu se si e pritën në përvjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”! Donikës nuk i pëlqeu se ku i ishte përcaktuar vendi për t’u ulur, ngase karrigia e saj nuk ishte në rreshtin e parë të ulëseve, por në rreshtin e dytë.

Dhe, pas 13 vjetësh në këtë parti, në vitin 2008 edhe u largua me një qëndrim të pakthyeshëm…

E, pak ditë më vonë ajo aderon në Lëvizjen “Vetëvendosje” dhe është pritur me duartrokitje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Në prill të vitit 2016, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, përmes një deklarate, formalizoi vendimin e saj si “një vazhdim në lëvizjen që u qëndroi parimeve të veta”.

Por, edhe në këtë parti, ani pse ishte shumë e zëshme, nuk i shkoi puna mbarë! Shpejt e shpejt e braktisi Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe u rikthye po atje ku edhe pat thënë se largimi i saj është i pakthyeshëm, pra në AAK!

E, edhe në cilën parti do ta shohim në të ardhmen, mbetet të shihet…

Sidoqoftë, këta janë vetëm disa nga emrat që i përmendëm, e që i ndërruan partitë, siç ndërrohen edhe çorapët.

Por, nuk janë të vetmit. Edhe të tjerë si këta ka sa të duash… Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË