Fitorja e VV-së në zgjedhjet e 6 tetorit përngjanë në ekipin futbollistik të Barcelonës, ku Lionel Mesi është ai që sjellë fitore, ndërsa të tjerët festojnë rreth tij me përqafim apo lot gëzimi, shkruan “Kosovarja”.

Sado që është folur e përfolur se grupi i Molliqajt i kishte rrënjët në PDK, prandaj edhe e braktisi VV-në, për ta shkatërruar Kurtin, i bie hiq më shumë se gjoja ishte ashtu…

Por, realisht, nuk ishte! Historikun e suksesit e keni nëpër rrjete sociale dhe televizive, ku shihet qartazi se ata që e bënin politikën e VV-së, ishin: Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Frashër Krasniqi, Sami Kurteshi, kurse më vonë edhe Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu me Ilir Dedën, Alma Lamën e të tjerë…

Sikur sot të ishin këta njerëz rreth Albin Kurtit, do të qëndronin ndryshe gjërat në VV:

Së pari, mund të thuhej se VV-ja do të ishte parti me kuadro, që e rritën dhe ngritën atë nga rruga deri në parlament.

E, rruga deri në parlament, këtu ku është sot Albin Kurti, ka kaluar nëpër protesta e demonstrata, madje edhe nëpër gjak, nëpër vrasje e dhunë në rrugë, nëpër përmbysje dhe vënie flakë të automjeteve e objekteve, si dhe sakrifica e dhimbshme deri të (vetë)vrasjet e kontestuara nga drejtësia, që kanë marrë përmasa ndërkombëtare.

Këta emra e kanë rritur dhe ngritur VV-në, bashkë me Albin Kurtin. Por, kjo parti nuk ka tingëlluar diçka më keq edhe nën Visar Ymerin, kryetar, kur Kurti zbatoi rregulloren e partisë, që ta lëshonte postin pas dy mandateve në krye të saj.

Në të gjitha debatet mediatike, kjo anëtarësi luante rolin e VV-së së vërtetë, pa dashur të lëshohemi në akuza e kundërakuza pse ata sot nuk janë në VV…

Albin Kurti, pa të drejtë, thoshte: “VV po rritet edhe më shumë edhe pa ata që dolën nga partia”. Por, e vërteta është se sot VV-ja nuk është parti e kuadrove përmbajtësore, për çka dihet dhe shihet se LDK-ja i bën obstruksione VV-së në poste për kabinetin qeveritar në qeverinë e mundshme të Kurtit.

Kjo parti sot lëngon për mungesë të emrave që qojnë peshë në marrëveshje ministrore me LDK-në, ku kjo e fundit e di se VV-ja nuk ka kuadro. Ka militantë, por s’ka kuadro!

Sikur të ishte VV-ja edhe me ata që dolën nga partia, sot gjërat do të ishin shumë më ndryshe!

Dhe, pa dashur të prekim pse e si, sot VV-ja e ndjenë mungesën e këtyre personave. Sepse, me daljen nga kjo parti, të dy palët kanë humbur mjaft… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË