Një zbutje e retorikës politike, pro një marrëveshje të mundshme me VV-në, ka ndodhur në dy ditët e fundit në kampin politik të LDK-së, qëkur u tha se të hënën do të votohet qeveria Kurti, shkruan “Kosovarja”.

A do të ndodhë marrëveshja VV-LDK gjatë vikendit, pritet të shihet. Por, lëvizje substanciale deri më tani nuk ka.

Të gjitha variantet me rritje të ministrive nga 12 në 14 a 15, janë harxhuar dhe, aktualisht, posti i kryeparlamentarit është loja e pingpongut.

Kush do lëshojë pe nuk dihet, por, sipas deklaratave të kreut të LDK-së, lëvizje ka pasur.

Nuk është thënë se ku kanë ndodhur lëvizjet, por deri më tani asnjëra palë nuk kanë lëshuar rrugë për postin e të parit të Kuvendit.

Sipas VV-së Glauk Konjufca nuk do japë dorëheqje. Ndërkaq, sipas LDK-së, pa tërheqjen e Konjufcës nuk do të ketë qeveri.

Deklaratat mediale se LDK-ja është gjendur në befasi, meqë do të shkojë të hënën në Kuvend për votimin e qeverisë pa dijeninë e saj, nuk qëndrojnë.

Sepse, ndërmjet këtyre dy partive çdo gjë ka qenë e hapur: qoftë për presidentin, qoftë për kryeparlamentarin.

Të dy variantet janë të njohura dhe cilado palë që do lëshojë pe, do të llogaritet e nënshtruar dhe me përgjegjësi ndaj vonesës së krijimit të qeverisë, e që mund t’i kishte, të paktën, 30 ditë punë funksionale.

Logjikisht, pak besohet se LDK-ja mund të tërhiqet nga kërkesa e kryeparlamentarit, meqë ajo do ta ketë rastin të jetë bartëse e qeverisë nëse dështon të formohet qeveria Kurti.

Në anën tjetër, pak besohet se LDK-ja do të tërhiqet, meqë ka edhe një dhjetëditësh të dytë për marrëveshje, duke e nënshtruar VV-në.

Humbësja më e madhe nëse nuk formohet qeveria, është VV-ja, shkaku i vijave të kuqe me të gjithë të tjerët.

Ndërkaq, LDK-ja është më opsionale për ta formuar qeverinë në rast se Albin Kurti nuk votohet të hënën.

Dhe, në momentin kur përfundon e drejta e Kurtit për kryeministër, atëherë Vjosa Osmani vjen në shprehje, si më e votuara për postin e kryeministrit.

E, nëse edhe kjo dështon matematikisht në parlament, atëherë grupi që i bën 61 vota deputetësh e jep kryeministrin.

Por, nëse as kjo nuk ndodh, vendi shkon në zgjedhje të reja.

Për fund, përkundër fjalorit relaksues të disa televizione publike se kanë anuar hapur për VV-në, deri këtu nuk ka lëshim të qëndrimeve nga asnjëra palë dhe ka mbetur ky vikend vendimtar në qartësimin e pozicioneve për një arritje të marrëveshjes për koalicionin VV-LDK. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË