Albin Kurti po tallet me popullin. Ai, në vend se të ofrojë komunikim me partnerin kryesor për formimin e qeverisë, ditë e më shumë po distancohet nga LDK-ja, shkruan “Kosovarja”.

Me do video-incizime të pakripë, duke iu drejtuar popullit me fjalët: “Qytetarë të nderuar të Republikës…”, thua se po flet nga vatrat e luftës në Siri, në Irak a gjetiu…

Albin Kurti po e dramatizon situatën pa nevojë! Ai nuk ka nevojë të flasë me drama, duke lënë përshtypjen se po flet nga hapësirat e luftës, si dikur që fliste, bie fjala, Çegevara në Bolivi!

Ai nuk ka nevojë t’i dramatizojë gjërat, meqë jetojmë në paqe…

LDK-në e ka jo më larg se 100 metra! Presidencën, po ashtu. Andaj, nuk ka nevojë të krijojë drama me video-incizime për popullin, se qytetarët po shohin çka po ndodhë…

Albin Kurti po luan në stilin e “Urës së shenjtë”, ku ditën ndërtohej, kurse natën rrënohej…

Andaj, shkurt e shqip: Albin Kurti, mos i dramatizo gjërat, por formoje qeverinë me LDK-ën se e ke rastin!

Qytetarëve më nuk ke çka u tregon… Ata të kanë përcjellë në fushatën zgjedhore dhe premtimet tua si arrin as zhirafa, sepse janë krejt në hava!

Ti edhe po e fton LDK-në ta formosh qeverinë, edhe po i vendosë barriera! Ti ia more LDK-së postin e kryeparlamentarit krye më vete, duke ia marrë hisen që ia kishe premtuar partnerit qeverisës!

Madje, në fund edhe duke i shpallur emrat e kabinetit për qeveri të mundshme, pa pasur fare kontakte me LDK-në!

Andaj, këndej e fton LDK-në për të bashkëformuar qeverinë, e, në anën tjetër, s’i lë hapësirë me marrë veprime!

Populli thotë: Kur një mollë e ndanë me mikun, jepja pjesën më të madhe atij, sepse ashtu e krijon besimin.
Ndërkaq, ti jo që po ia jep gjysmën e mollës, por po mundohesh me ia marrë tërë mollën!

E, populli, qytetarët e Republikës, që i zë në gojë vend e pa vend, nuk kanë pritur që do të shkelin në vitin 2020 pa qeveri!

Tash, së fundi, edhe te presidenti po shkon si në dasmë! E, jo moti jeni ofenduar në Parlament, madje te ti është hetuar një urrejtje shumë e madhe ndaj Hashim Thaçit!

E, po të ishe i interesuar të formosh qeveri për popullin dhe Republikën, pazaret për poste nuk do ishin shikuar me mikroskop!

Po luan në stilin nuk e jap këtë, nuk e jap atë…

Ka edhe diçka tjetër që nuk i shkon më ndërtimit të qeverisë së re: Një staf me disa emra që nuk i njeh askush, karshi LDK-së me traditë shteti institucional, e cila në këto çaste është mbështetur për muri.

E, kur kësaj i shtohet edhe fakti se me partitë e tjera ke vija të kuqe, veç LDK-së, mendo se, në anën tjetër, LDK-ja mund ta formojë qeverinë me të tjerët!

Sikur ke harruar se e ke gjuajtur me vezë Isa Mustafën, madje duke ia sulmuar edhe shtëpinë në Prapashiticë, e deri te hedhja e gozhdave në eskortën e tij te komuna!

Krejt këto i di populli… E, ti po mendon se ke përballë një parti, njerëzit e së cilës frikësohen… Andaj, po luan me ta si macja me miun…

Populli, vërtet, ka votuar për ndryshime dhe për ta bërë ndryshimin të kanë dhënë një diferencë votimi ty dhe Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Por, mos e sillë veten në pozitë që populli të neveritet me dështimin tëndin!

Edhe diçka…
Nëse Albin Kurti shpreson të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme edhe një herë, duke menduar se do i fitojë e vetme zgjedhjet tjera, le ta harrojë këtë punë!

Apo, nëse mendon se nuk do të formohet qeveria pa të, edhe këtë punë le ta harrojë, sepse ka mundësi të formohet qeveria edhe me subjekte të tjera politike…

Sidoqoftë, në momentin e pikrishëm, Kosova i ka të gjitha mundësitë për numra matematike, vetëm duhet mirëkuptim për marrëveshje… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË