Me emërimin e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti e ka futur veten në rrugë pa dalje, shkruan “Kosovarja”.

Në fakt, ka ndodhur emërimi befasues i kryekuvendarit, sepse ky ishte post i biseduar i LDK-së, që e mbante në lojë partinë e Isa Mustafës për formimin e qeverisë Kurti.

Pas konstituimit të parlamentit, Isa Mustafa tha se do ta votojnë Albin Kurtin në seancën e zgjedhjes së kryeministrit!

Ata do e votojnë Kurtin kryeministër me një matematikë që kryeministri i mbyllë të gjitha rrugët qeveritare.

Pra, kjo është arsyeja pse Albin Kurti nuk iu përgjigj ftesës së presidentit të Kosovës për mandatim të kryeministrit.

Albin Kurti e ka humbur mundësinë të bëjë qeveri me LDK-në. Isa Mustafa do e qojë LDK-në në qeverisje me VV-në vetëm me një kusht: Nëse Kurti ia jep postin e kryeministrit, gjë që nuk do të ndodhë.

Pas emërimit të Konjufcës në krye të Kuvendit, shumëkush po e quan Kurtin mashtrues, i pangopshëm për pushtet…

Andaj, Kurti, kështu si po vepron aktualisht, do e djegë kartën e kryeministrit, duke mbetur në baltë menjëherë pas seancës së parë të miratimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2020.

Çka do të ndodhë tutje?
Nëse LDK-ja do reagojë, duke e përjetuar si poshtërim apo nënçmim zgjedhjen e Konjufcës për kryeparlamentar, kjo parti do të ishte normale nëse në vazhdim merr këto veprime:

LDK-ja ta votojë Albin Kurtin për kryeministër, ashtu qysh u deklarua Isa Mustafa.

Albin Kurti do të zgjidhet kryeministër. Shteti nuk do të bllokohet në aspektin financiar, por LDK-ja zor se do merr hise ministrore në qeverinë Kurti.

LDK-ja do ia lejojë të gjithë digasterët kryeministrit të ri dhe me këtë LDK-ja do të pastrohet para elektoratit të vet, duke e fajësuar Albin Kurtin për jokorrektësi dhe mashtrim.

Në momentin kur do të vjen në rend dite të votohet heqja e taksës, gjë që është e pashmangshme, lehtë mund të ndodhë që deputetët e kësaj legjislature të marrin urdhër nga bosët e tyre të mos i qojnë gishtat!

Po ashtu, cilido projekt tjetër i qeverisë Kurti, që do të vihej në votim, nuk do i merr votat e LDK-së dhe të partive të tjera.

Dhe, kur Kurti ta sheh se nuk mund të funksionojë një qeveri e tillë, e më së largu diku kah pranvera, Albin Kurti do e sheh se rruga e tij ka stagnuar, ka mbetur në baltë.

Pse Kadri Veseli tha se që tash i ka 63 vota për qeverinë e re?

Nuk tha rastësisht: 25 vota i ka PDK-ja, 28 LDK-ja dhe 10 “Lista Serbe”. Këto gjithsej bëjnë 63 vota.

Madje, pa i llogaritur këtu votat e mundshme të AAK-së së Ramush Haradinajt, që po shihet në përmirësim raportesh me Hashim Thaçin dhe pa votat e Fatmir Limajt, e që mban politikë konstante kundër Kurtit.

Megjithatë, në kohën kur po pritet marrëveshje historike me Serbinë, nuk është edhe jashtë logjikës që qeveria e Kosovës t’i ketë në vete të gjitha partitë e spektrit politik, në mënyrë që marrëveshja çfarëdo që do të jetë, të jetë sa më e pranueshme.

E ky, definitivisht, do të ishte dështimi më brutal i qeverisë Kurti!

Kjo matematikë dështuese, veç ka nisur rrugën e vet qysh me konstituimin e Kuvendit, në të cilin është menduar realisht se kryetari do i takojë LDK-së.

Andaj, nëse VV dhe LDK nuk kanë ende politika befasuese, kjo që po shihet, është një proces që i jep fund shpresës së Albin Kurtit për të sjellë ndryshime me premtimet që i ka dhënë në fushatën zgjedhore për kryeministër.

Megjithatë, Albin Kurti nuk ka mundësi të befasojë tutje, që të shkojë në qeverisje me PDK-në, sepse Kadri Veseli nuk do e nxjerrë nga balta…

E, LDK-ja, edhe pse ka proklamuar vija të kuqe me PDK-në, do e ketë lehtë ta bindë elektoratin e vet se puna me Albin Kurtin u stopua që në start, pra me zgjedhjen e Konjufcës në krye të Parlamentit, pa marrëveshje!

Sidoqoftë, nuk besohet se do të shkohet në zgjedhje të reja, edhe duke e shkarkuar Albin Kurtin.

Besohet se legjislatura e shtatë do t’i ketë votat e duhura për ta votuar një mandatar tjetër për kryeministër, që në atë rast do të ishin dy kandidatë: Vjosa Osmani dhe Kadri Veseli.

Kjo, madje, edhe po flitet në qarqe okulare dhe nuk është jashtë asnjë logjike qeverisëse: LDK-PDK me të tjerët. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË