Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar në Facrbook për arritjen e marrëveshjes me LDK’në.

Ai thotë se me këtë parti janë marrë vesh moti, por tash kanë edhe marrëveshje për të qeverisur bashkë.

Kurti ka shkruar se është vonuar arritja e marrëveshjes, por sipas tij nuk është tepër vonë.

“Në negociatat me LDK-në, njëri-tjetrit, i kemi ofruar kërkesa e i kemi kërkuar oferta, jemi qarë e kemi qeshur, përherë të kujdesshëm që ndërmjet nesh të ndodhet një tavolinë. Jemi vonë, gjithsesi. Nuk është tepër vonë, pa dyshim”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se me LDK’në janë marrë vesh moti, por tash do të qeverisin bashkë.

“Moti jemi marrë vesh, tash kemi edhe marrëveshje. Do të qeverisim bashkë. Ju falemnderit për mbështetjen dhe durimin. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Kurti.

Marrëveshja e koalicionit ndërmjet LDK’së dhe VV’së është nënshkruar sot. Këtë e bënë të ditur krerët e të dyja partive në një konferencë për media.

“Kur na ndanë vetëm një ditë nga seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të zjgedhim Qeverinë e re. Ne sot u takuam me kryetarin e LDK’së profesor Isa Mustafën, u takuam dhe u dakorduam të takohemi edhe nesër në seancë ta zgjedhim qeverinë e re. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re ku do të bashkëqeverisim”, është shprehur Kurti.

Mustafa tha se marrëveshja e nënshkruar është në interes të ndryshimeve të domosdoshme që do të ndodhin në vend.

“Ne kemi arritur marrëveshje. Besoj se është një marrëveshje e mirë, është në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin domosdoshmërisht në vendin tonë. I kemi hulumtuar të gjitha alternativat dhe mundësitë. Ajo që dëshirojmë në të ardhmen është që kjo qeveri të jetë e suksesshme dhe t’i realizojë pritjet e tyre”, u shpreh Mustafa.

Ndërkohë, marrëveshja është arritur 119 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. Më shumë se një muaj kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës.

Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kishin ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.

Deri më tash VV dhe LDK kishin dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Në fund ishin bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet. Kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzonte të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.

Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh. Madje, kishte thënë se s’janë monarkë për të luajtur me njerëz nëpër pozita shtetërore.

MUND TË JU PËLQEJNË