Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se sot është ditë e rëndë për kombin, pas tërmetit të fuqishëm e vdekjeprurës që goditi Shqipërinë.

“Ditë e rëndë për kombin tonë, ditë kur të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook, në internet.

“Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri. Unë i shpreha solidaritetin tonë presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, si dhe kryetarit të PD-së, kurse zyrtarë të Lëvizjes kanë kontaktuar me ministrat, kryetarët e shtabeve të emergjencës, duke ofruar ndihmën tonë”, ka thënë Kurti.

“Qysh prej orëve më të para të mëngjesit secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar. Secili aktivist tash është vullnetar. Kemi mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme, po ashtu edhe mjekë e infermierë vullnetarë. Kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen. Bashkë, forcojmë njëri-tjetrin”, ka shkruar ai.

MUND TË JU PËLQEJNË