Momente të rënda dhe tragjike kanë prekur Shqipërinë gjatë ditës së sotme pas një tërmeti të fuqishëm atje.

Si pasojë e kësaj tragjedie që ka prekur shtetin shqiptar, humbën jetën 18 persona. Fatkeqësia i kapi edhe dy kosovarë të cilët ishin si pushues në Shqipëri.

Njëri nga ta nuk arriti të mbijetojë, kurse tjetri është ende në kërkim pasi dyshohet se ka mbetur nën rrënoja, të cilat u shkaktuan nga tërmeti i sotëm.

Në momentin kritik, aty kishte qëlluar edhe një i ri kosovar i cili vijon studimet në Universitetin e Tiranës. Elion Kollçaku.

Ai thotë se gjatë atij momenti ai ishte në gjum, derisa lëkundjet e forta e kishin zgjuar, me ç’rast sipas tij kishte parë të lëvizte e gjithë ndërtesa ku edhe po jetonte ai.

“Ka qenë moment i tmerrshëm. Një tërmet shumë i fuqishëm. Në orën 3:55, më ka dalë gjumi dhe kam parë gjithë banesën që po lëvizte. Kam mendu që do shembet, aq të forta kanë qenë lëkundjet. I gjithë pallati kemi qenë në ambiente të jashtme, shumica në oborrin e shkollës “Sami Frashëri” deri në agim. Shpresoj që tërmete të tilla të mos përsëriten kurrë. Shpreh ngushëllimet për të gjithë familjarët e personave që kanë humbur jetën”, tha Kollçaku.

Lëkundje të njëpasnjëshme në Shqipëri janë duke vazhduar ende, veçse me një intensitet më të ulët. Si pasojë e këtij tërmeti vdiqën 18 persona, derisa kanë kërkuar ndihmë rreth 600 persona të tjerë.

Lëkundjet e forta janë ndier edhe në Kosovë, me ç’rast kanë krijuar panik tek qytetarët. Për ti dalë në ndihmë shtetit shqiptarë, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë zbarkuar sot në Shqipëri, derisa Qeveria e Kosovës mbajti sot një mbledhje të jashtëzakonshme ku alokoi 500 mijë euro për Shqipërinë.

MUND TË JU PËLQEJNË