Nëse LDK-ja dhe “Vetëvendosje” arrijnë marrëveshje për koalicion para apo pas zgjedhor, do të ishte koalicioni më i panatyrshëm në historikun e aleancave partiake në shtetin e Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Pse LDK dhe “Vetëvendosje” bashkë?

LDK-ja njihet si parti e moderuar, ndërsa “Vetëvendosja” si parti radikale, por që kohëve të fundit e ka ulur radikalitetin në 50%. E, kjo zbritje radikale ka ndodhur qëkur është larguar nga kjo parti fraksioni aktual me emrin PSD.

LDK-ja zor se do të mund të funksiononte në një qeveri me “Vetëvendosjen”, kur qysh tash, pa ndodhur akoma asgjë, janë ndezur shkëndijat e para se kujt i takon posti i kryeministrit!

Kjo doli nga LDK-ja, por nuk besohet se mendojnë ndryshe as ata të “Vetëvendosjes”, meqë kuptimi i bashkimit të këtyre dy partive për një qeverisje të përbashkët është, pikërisht, lufta për kryeministrin!

Albin Kurti dhe Isa Mustafa duket se po gjejnë “mirëkuptim” bashkëpunimi si dy partiakë, të cilët i kanë quar duart të jenë në krye të qeverisë.

Isa Mustafa, e që ka qenë bartësi më i përgjegjshëm i Qeverisë së Kosovës, duke marrë parasysh shpenzimin e parave dhe performacën, do të ishte nën nivelin e vet po të bashkohej me “Vetëvendosjen” në një qeveri.

“Vetëvendosja” ende nuk e ka qeverisur Kosovën, por fakti që ata e morën Prishtinën dhe e bënë lesh, flet shumë se çka mund të ndodhë edhe me qeverisjen e Kosovës!

Isa Mustafa është lider i pjekur politik dhe nuk besohet se i ka harruar vezët e “Vetëvendosjes” mbi trupin e tij, në foltoren e Parlamentit të Kosovës!

Besohet se nuk i ka harruar as simpatizuesit e “Vetëvendosjes”, e që i kthente policia në rrugë, kur ia mësynin shtëpisë së Isa Mustafës në Prapashticë!

Nuk besohet ta ketë harruar as devijimin e eskortës së tij që nga shtëpia e deri te qeveria, shkaku i pasigurisë që krijonte “Vetëvendosja”!

Isa Mustafa nuk besoj se i ka harruar ofendimet që i vinin nga kjo parti dhe nëse sjelljet patologjike i ka harruar i pari i LDK-së, më nuk ia ven të flitet për dinjitetin e një lideri që synon pushtetin.

Ajo që e ka bërë “Vetëvendosjen” parti me balosh në ballë, siç thuhet në popull, është papjekuria politike, dhuna, temperamenti, reagimi i vrazhdë, vandalizmi, papërgjegjësia dhe kapadaillëku i disa individëve që kanë vepruar dhunshëm, duke quar ujë të turbullt në “Vetëvendosje”.

LDK-ja nuk është pajtuar me konceptin e “Vetëvendosjes” në vazhdimësi, sepse janë shumë të ndryshme në koncepte programore. Por, nëse tash këto dy parti kanë gjetur frymë të përbashkët bashkëpunimi, janë dy gjëra interesante:

Ose LDK-ja po bëhet si “Vetëvendosja”, ose “Vetëvendosja” po bëhet si LDK-ja! Apo po e luajnë lojën vëllezërve që bënin plane mbi hirin në oxhak për të ndërtuar një shtëpi. Por, sa herë i bënin vijat se si do të dukej shtëpia, e flakareshin njëri-tjetrin në shenjë kundërshtimi!

“Vetëvendosja” nuk humbë asgjë nëse e ofron LDK-në e as LDK-ja nuk humb asgjë nëse e konverton “Vetëvendosjen” në programin e vet. Kjo i bie si njerëzit që kalojnë nga një fe në tjetrën. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË