Kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Bekim Brestovci ka treguar për prioritetet e tija për të cilat do të angazhohet në legjislaturën e re që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai ka thënë se do të angazhohet për të ndihmuar personat me nevoja të veçanta, teksa ka kërkuar të rishikohen ligjet dhe të ashpërsohen dënimet për të gjithë ata që shkelin të drejtat elementare për grupet e margjinalizuara.

Brestovci po ashtu thotë se do të kontribuojë që të lehtësohet shkollimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, përfshirë edhe organizimin e orëve të mësimit për rastet kur e kanë të pamundur të lëvizin nga shtëpia.

Shkrimi i plotë:

Një shtet me mundësi, por pa dallime

Nuk duhet mohuar se në dhjetë vitet e fundit Kosova ka avancuar në mbrojtjen e grupeve të rrezikuara, edhe pse në praktik kjo kategori vazhdon të ketë një numër problemesh. Raste të shpeshta të dhunës në familje dhe të vrasjeve ku kryesisht viktimë është gruaja, janë dëshmi se institucionet tona kanë qenë neglizhente.

Por jo vetëm kaq! Edhe e drejta e trashëgimisë vazhdon të mbetet problem tjetër shqetësues. Në shumicën e rasteve, gruaja kontribuon në krijimin e pasurisë por pa e gëzuar të drejtën për të trashëguar pjesën e saj, gjë që padyshim do të shërbente në pavarësimin e gruas.

Në shtetin tonë si grup i rrezikuar vazhdojnë të jenë edhe personat me nevoja të veçanta. Ata përballen me vështirësi të mëdha, ndërsa familjarët e tyre nuk e kanë përkrahjen e duhur.

Nisma Socialdemokrate nuk do të heshtë.

Për Nismën Socialdemokrate, nevojat e këtyre grupeve janë obligim i yni!

Si anëtar i këtij subjekti politik do të angazhohem fuqishëm për të frenuar këtë pabarazi, shtypje dhe shkelje të të drejtave elementare që janë të garantuara edhe me Kushtetutë. Duhet të rishikohen ligjet dhe të ashpërsohen dënimet për të gjithë ata që shkelin të drejtat elementare për grupet e margjinalizuara.

Gjithashtu, do të angazhohem në përfshirjen më të madhe të kësaj kategorie të shoqërisë, duke nisur nga kujdesi social, arsimor e deri tek punësimi i tyre.

Ligji obligon që për çdo 50 të punësuar, duhet të jetë një person me nevoja të veçanta. Andaj, për ta bërë këtë realitet, shteti duhet të krijojmë lehtësira për të gjitha bizneset, në të cilat do të punësojnë personat me nevoja të veçanta.

Do të kontribuoj që të lehtësohet shkollimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, përfshirë edhe organizimin e orëve të mësimit për rastet kur e kanë të pamundur të lëvizin nga shtëpia.

Të gjitha institucionet, si shtetërore ashtu edhe ato private do të krijojnë qasje më të lehtë fizike për këto kategori, ndërsa në bashkërendim me nivelin lokal, të krijohen qendra të kujdesit ditor për fëmijët.

Me guxim dhe përkushtim, do ta bëjmë Kosovën një shtet me mundësi të barabarta.

MUND TË JU PËLQEJNË