Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se është vetizoluar, pasi javën e kaluar ka qenë në të njëjtin ambient me një të prekur me koronavirusin COVID-19.

“Komuna e Gjilanit prej 22 shkurtit ka ndërmarrë veprimet konkrete për parandalimin e #Covid-19. Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus. Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor”, ka shkruar Haziri, transmeton Koha.

Po ashtu, shkruan tutje Haziri, “u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimit”.

“Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete. Besoj që bashkë ia dalim! Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi. Ju përqafoj shumë!”, përfundon shkrimin në Facebook Haziri.

MUND TË JU PËLQEJNË