Këngët maje-krahu apo këngët përkrye-krahu, janë gati të panjohura për brezat e sotëm, shkruan “Kosovarja”.

E veçanta e këtyre këngëve është këndimi pa përcjellje instrumenti, pasi ato këndohen ekskluzivisht në vise malore e jo në rrafshina.

Është jehona e luginave dhe maleve ajo që e zëvendëson orkestrën.

Të gjitha këngët maje-krahu kanë tema epike – trimërie. Ato, kryesisht, këndohen nga meshkujt, të cilët këndojnë në këmbë, me dorën e djathtë të ngritur mbi në nivelin e krahut, duke gjysmëmbuluar veshin, e që, pa dyshim, i jep këngëtarit një kontroll të kumbimit të zërit të tij.

Ka të ngjarë se nga pozita e dorës që mbanë këngëtari, edhe kanë marrë emrin “këngë maje krahu”.

Simbolikisht, ato tingëllojnë si një thirrje kumbuese, që hidhet përmbi krahun e këngëtarit dhe krahun e bjeshkës përtej luginave e thepave.

Këto këngë këndohen me tone shumë të larta, ndaj, sipas traditës, kanë qenë këngëtarë të zgjedhur ata që kanë kënduar këngë maje-krahu.

Jo çdokush ka mundur të nxjerrë tone të tilla. Nëse këngët me çifteli ose lahutë janë kënduar në ambiente të mbyllura a të kufizuara auditori, këngët maje-krahu konsiderohen “muzikë e natyrës” apo këngë që këndohen jashtë, në ambiente të hapura dhe jo për një rreth të ngushtë, por të hapur.

Këto këngë konsiderohen muzika më e vjetër dhe më karakteristike shqiptare.

Andaj, duhet bërë gjithçka që ato të mos humbasin e harrohen, sepse janë pjesë e identitetit tonë si shqiptarë dhe kanë rolin e tyre të madh në mbijetesën tonë si popull e si komb në histori.

E, për këtë, është i vetëdijshëm këngëtari ynë i veçantë, i mirënjohuri Nikollë Nikëprelaj, i cili në “Instagram”-in e tij prezanton pak çaste të këtij zhanri, e, si askush tjetër, duke kënduar këngë malësore, siç thuhet, këngë për krye-krahu.

Pra, të faleminderit Nikollë për këtë detaj të afruar tani, sot, kur po harrohet thuajse gjithçka me vlerë!

Kur po harrohen këngët e vjetra! Kur po harrohet arti i popullit! Kur po harrohen interpretët e artistët e mirëfilltë, e kjo është e pafalshme, sepse e çon një komb drejt shuarjes së kujtesës së vet historike. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË