Procesi drejt formimit të qeverisë së re të Kosovës sot e bëri hapin e parë. Me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e nënkryetarëve, tash procesi mbetet në dorë të presidentit Hashim Thaçi e kreut të LVV-së, Albin Kurtit.

Zhvillime interesante ka sjellë sot seanca konstituive ku partitë që negociuan për koalicion shkuan pa marrëveshje.

LVV e shfrytëzoi një premtim të LDK-së se do t’ia votojnë propozimet duke nominuar për kryetar të kuvendit, Glauk Konjufcën. Gjithashtu kjo parti propozoi edhe nënkryetarin e parë.

Konjufca bëri përmbylljen e kësaj seance, derisa, loja për formimin e qeverisë ka kaluar te partia e parë e dalë nga zgjedhjet LVV, e presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dy këta të njohur mirë për marrëdhënie jo të mira me njëri tjetrin.

Pak minuta më vonë, Hashim Thaçi kërkoi përmes një shkrimi në Facebook që të zgjedhurit e popullit, t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës./express/.

Mirëpo, kushtetuta e saktëson se si rrjedh procesi për krijim të qeverisë. Pas zgjedhjeve, i pari i shtetit, i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, mirëpo, kjo pasi që fillimisht konsultohet me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

Kandidati për kryeministër, në këtë rast, Albin Kurti jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës, dhe kërkon miratim nga ana e kuvendit.

“ Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në kushtetutë.

Kujtojmë që LDK e LVV ende nuk janë dakorduar për marrëveshje për koalicion, dhe sot gjatë ditës Glauk Konjufca është zgjedhur kryeparlamentar, post të cilën sipas marrëveshjes i takonte Lidhjes Demokratike të Kosovës./Express/

MUND TË JU PËLQEJNË