Vetëm 30 vjeçe, Diena Karanxhaj-Meçaj iu bashkua shumë shpejt bashkëshortit që u nda nga jeta pesë vite më parë.

Ajo dhe vogëlushja e saj, Esiela 8-vjeçare, nuk arritën t’u mbijetonin lëndimeve të marra nën rrënojat e pallatit me gjashtë kate në Durrës, të shëmbur nga tërmeti.

I vetmi që u nxorr gjallë është i ati i Dienës, pasi edhe nëna e saj ndërroi jetë.

Nisur nga Instagrami, historia e Dienës është e paimagjinueshme, e jashtëzakonshme dhe e tmerrshme njëkohësisht.

Dorian Karanxhaj mbaroi Akademinë e Arteve të bukura në Romë dhe konsiderohej një prej piktorëve më premtues, por humbi jetën në moshën 37-vjeçare si pasojë e atakut të miokardit.

Pavarësisht trishtimit që la pas humbja e bashkëshortit, ajo ja doli të vazhdonte ëndrrën e tij për pikturën. Pas vdekjes, Diena kuroi një ekspozitë për të përkujtuar artin e tij.

Si një mënyrë për të pasur ndoshta një lidhje me të atin e ndjerë, Diena u kujdes që vogëlushja Esiela të ishte në kontakt me pikturën, ëndrrën e tij të lënë përgjysmë.

Një grua me pasione të shumta, që adhuronte muzikën, pikturën dhe çdo formë të artit në përgjithësi, Diena vendosi të mos dorëzohej.

Dashurinë e saj për të bukurën ajo e materializoi duke hapur një dyqan me bizhuteri. Por ja që fati e deshi që ëndrrat e saj për veten, për vajzë, për prindërit të ndërpriteshin tragjikisht.

Sot, Diena u gjet me një fije shpresë për jetën, ndonëse pranë saj Esiela kishte ndërruar jetë. Ajo iu bashkua të bijës vetëm pak çaste pasi u nxorr nga rrënojat.

Një histori e pabesueshme deri në dhimbje sa fjalët janë të pakta për ta përshkruar. E vetmja gjë që ngelet në të tilla momente është besimi se ndoshta janë të tre bashkë…ndoshta ka një vend për shpirtrat që janë bërë për njëri-tjetrin.

MUND TË JU PËLQEJNË