Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, gjatë fjalimit të tij në tubim për prezantimin e Ramush Haradinajt si kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, ka thënë se ata do ta rrisin pagën minimale dhe do ta mbrojnë punëtorin.

“Për ta mbrojtur Kosovën, nevojitet guxim. E guximit duhet t’ia shtojmë edhe dijen sepse kemi probleme që duhet t’i zgjidhim bashkë. Që ta mbrojmë punëtorin e ta rrisim pagën minimale” tha Ahmeti në këtë tubim të koalicionit.

Ai ka shtuar se bashkimi mes dy subjekteve është bërë për konceptin 100% shtet, e që nuk është vetëm simbolike por ka domethënie të madhe.

“Jemi bashkuar për një koncept që po e shihni, ndoshta simbolikë por ka domethënie të madhe. Neve na duhet 100% guxim, 100% dije e 100% përkushtim për ta përfunduar sovranitetin tonë” tha ai.

Kreu i PSD gjithashtu shtoi se ata nuk do të lëshojnë asnjë pëllëmbë të Kosovës dhe nuk do të lejojnë që shteti jonë të trajtohet si vendi i rendit të dytë.

“Nuk kemi lëshuar asnjë pëllëmbë të Kosovës. Që Kosova të trajtohet e barabartë e jo e rendit të dytë” tha ai.

Sot AAK dhe PSD mbajnë tubim për prezantimin e kandidatit për kryeministër dhe kandidatëve për deputetë. /GazetaExpress/

MUND TË JU PËLQEJNË