Serbia assesi nuk po heq dorë nga politika e saj kundër njohjeve të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, edhe zyrtarisht ka deklaruar se kanë marrë notën verbale për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Sierra Leone.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë kishte propozuar që taksa të hiqet pjesërisht me kusht që Serbia të ndalë fushatën kundër Kosovës, mirëpo si duket kjo nuk po i bën aspak përshtypje shtetit serb.

Sipas tij taksa do të hiqet për lëndën bazë nga 15 marsi deri në muajin prill, por siç ka deklaruar Kurti, në rast se Serbia nuk e ndalon fushatën e saj kundër Kosovës, atëherë nga 15 qershori do të vendoset masa e reciprocitetit.

Sipas njohësve të çështjeve politike, taksa dhe heqja e saj nuk kanë ndonjë ndikim në ndaljen e fushatës së Serbisë kundër Kosovës.

Sipas tyre, janë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato të cilat mund ta ndalojnë Serbinë në fushatën e saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Rrahman Paçarizi, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, ka bërë të ditur për lajmi.net, se fushata e Serbisë kundër Kosovës dhe heqja e taksës nuk kanë janë të ndërlidhura.

Ai ka thënë se Serbinë mund ta ndalojë vetëm një proces i mirëfilltë i dialogut dhe presioni i bashkësisë ndërkombëtare.

Paçarizi po ashtu ka bërë të ditur se për ta arritur këtë presion të bashkësisë ndërkombëtare, Kosova duhet të tregohet e përgjegjshme sidomos me SHBA-të dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të pritet që Serbia ta ndalojë fushatën e saj kundër Kosovës.

“Me të vërtetë as që është pritur që Serbia të ndaloj fushatën ndaj Kosovës me ndonjë premtim për heqjen e tarifës. Definitivisht këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura Serbinë mund ta ndalojë vetëm një proces i mirëfilltë i dialogut, mund ta ndalojë vetëm presioni i bashkësisë ndërkombëtare mirëpo, për ta siguruar këtë presion të bashkësisë ndërkombëtare kundër Serbisë, pala kosovare duhet të tregohet më e përgjegjshme në raport me bashkësinë ndërkombëtare para së gjithash në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm në këtë mënyrë mund apo guxojmë të presim që Serbia të ndalë fushatën e saj kundër Kosovës në të gjitha planet. Dhe nuk besoj që një taksë mund ta detyrojë së paku publikisht Serbinë që të heq dorë nga veprimet e veta”, është shprehur Paçarizi për lajmi.net.

Edhe sipas Imer Mushkolajt, njohësit të çështjeve politike, janë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që mund ta ndalin Serbinë dhe assesi Kosova të mund ta bëj një gjë të tillë edhe nëse e heq taksën.

Mushkolaj po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se për shkak të taksës dhe qëndrimit të kryeministrit Kurti, po duket që SHBA-të nuk po e bëjnë një gjë të tillë.

“Kosova nuk ka mundur ta ndalë tash e as nuk do të mund ta ndalë tash e tutje. Të mos harrojmë se edhe me taksën në fuqi, Serbia e ka vazhduar tërheqjen e njohjeve edhe nuk kemi mundur ta ndalim. Do me thënë të vetmen, ose e vetmja fuqi që mundet me e ndalë Serbinë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Serbia sidomos në këtë rast po e keqpërdor këtë situatën e brishtë në të cilën është Kosova momentalisht ku Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës e Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i thonë se nuk mjafton, por po kërkojnë heqje të menjëhershme. Edhe në këtë situatë Serbia po vepron dhe po e kryen punën e vet që e ka nis tash e sa muaj. Kështu që në këtë rast po them se e vetmja fuqi që mundet me e ndalë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por po duket se nuk po dëshirojnë që ta bëjnë këtë derisa sa të bëhet e qartë që taksa do të hiqet dhe nuk do të ketë reciprocitet”, është shprehur Mushkolaj për lajmi.net.

Tutje sipas tij, tërheqja e njohjes nga Sierra Leone, ka ardhur pikërisht në ditën kur presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo siç theksoi Mushkolaj, tregon qartë se si funksionon Serbia.

“Edhe për më keq tërheqja e njohjes po vjen pikërisht në ditën kur Thaçi është takuar me Vuçiqin, gjë që është një tregues i qartë se si funksionon Serbia, jo se SHBA-të nuk e dinë si funksionon, por përnjëmend është një fotografi e qartë se qysh Serbia funksionon dhe qysh duhet me reagua në këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës karshi Serbisë”, theksoi Mushkolaj.

Por Mushkolaj ka bërë të ditur se edhe po që se hiqet taksa, Serbia nuk do të bindet që të ndalojë fushatën e saj kundër Kosovës, pasi siç theksoi ai, Serbia ia ka arritur që Kosovën të njohin më pak se gjysma e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Serbia unë nuk besoj se mundet me u bind për shkak se ne menjëherë dje, në fakt mbrëmë e pamë një ndërrim qëndrimi të Vuçiqi, ai tha se derisa Kosova kërkon njohje edhe ne do të kërkojmë çnjohje. Do me thënë, po duket se problemi nuk është tash te taksa, por te kërkesat e Kosovës për me u njohtë nga sa më shumë shtete edhe Serbia ia ka dalë që ta ulë numrin e njohjeve për 18 deri më tash, e që i bije se momentalisht Kosovën e njohin më pak se gjysma e vendeve që janë anëtare të OKB-së dhe ky ka qenë synimi i Serbisë”, u shpreh Mushkolaj.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se, Serbia po e keqpërdor vullnetin e tij të mirë për heqjen e pjesshme të takës dhe për krijimin e kushteve për rifillimin e dialogut.

Pas tërheqjes së njohjes nga Sierra Leone, Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që ta ndalojë këtë fushatë kundër Kosovës dhe të heq ndore nga siç theksoi ai, politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj dhe i ka bërë thirrje SHBA-së dhe BE-së që ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës.

“Vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës. I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, ka shkruar Kurti ndër të tjerash.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Kosova nuk do të lejojë që të nëpërkëmbet.

“Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet. Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar Kurti.

MUND TË JU PËLQEJNË