Qeveria Kurti dy gjëra do t’i ketë për sfidë që në startin e saj: Heqjen e taksës si kusht për fillimin e dialogut dhe zëvendësimin e taksës me një dënim tjetër me emrin reciprocitet, shkruan “Kosovarja”.

Se do të ndodhë heqja e taksës, kjo dihet. Taksa ka qenë, objektivisht, arsyeja pas perde e dorëheqjes së kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt.

Por, kjo nuk është parë nga ftesa e speciales, dërguar Ramushit. Haradinaj e ka luajtur mirë rolin e arsyes së dorëheqjes dhe arsyetimin për dorëheqje, duke u thirr në diçka tjetër…

Aktualisht, shteti i Republikës së Kosovës luftën e vet ekzistenciale e sheh te politika e jashtme dhe diplomacia miqësore dhe te amortizimi i pengesave të diplomacisë armiqësore.

Politika e brendshme e Kosovës është anë krejtësisht sociale, një luftë e shtetit me varfërinë dhe investim në varfëri. Ndërkaq, investimi në infrastrukturën e autostradave është rast për hajni…

Të investosh në autostrada miliarda, në një shtet që s’e ka të sigurt bukën e gojës as për nesër, është absurde. Por, kur absurditetin e zbutë hajnia, kjo duket si normale.

Kosova është në pozitë ta betonojë shtetin për të qëndruar në këmbë të veta, apo të vazhdojë kështu me një status quo – as shtet e as jo shtet!

Kosova, një vend që e ndanë botën deri në OKB, një vend që ka krijuar përçarje globale, një vend që kërkon të definohet në skenën ndërkombëtare, duke e qartësuar pozitën e shtetit, por me një ecje të tillë të pushtetit, më shumë po dëshmon se vështirë është që ky pushtet ta bëjë shtetin.

Duke ditur se këtë pozicion Kosova e bën duke folur me Serbinë, patjetër, taksa dihet se do të hiqet, sepse këtë e kërkon SHBA-ja dhe Brukseli, miqtë tanë, e që janë edhe sponsorë të Pavarësisë së Kosovës.

Ç’do të thotë reciprociteti i premtuar i Albin Kurtit?
U kujtohet zhurma e primatit të krenarisë së taksës ndaj mallrave serbe? Ende pa e ditur populli se kush e dha idenë, Vuçiçi e qartësoi se s’ka dialog me Kosovën pa u hequr taksa! Dhe ashtu mbeti…

Albin Kurti do e heqë taksën, kjo dihet, por çka do të ndodhë kur ta vendosë reciprocitetin, e që është gati e njëjta masë?

Çka do të ndodhë nëse Vuçiçi thotë përsëri se nuk ka dialog me Prishtinën pa u hequr reciprociteti?

Pra, do të bllokohet dialogu Prishtinë-Beograd dhe qeveria Kurti do e sheh hendekun e parë të një politike të pazbatueshme…

Ka premtuar masë reciproke ndaj Serbisë kufitare në ekonomi dhe qarkullim ndërkufitar, ku s’bën punë as CEFTA e as mini-shëngeni ballkanik i Edi Ramës.

Sfida e parë e qeverisë Kurti do të vjen në pozitë ta heqë reciprocitetin për dialogun, o ta mbajë reciprocitetin dhe ta imitojë dorëheqjen e Haradinajt, sepse dialogu me Serbinë duhet të ndodhë, patjetër.

Nëse e heqë, do të ketë opozitë të fortë në Kuvendin e Kosovës, e nëse nuk e heqë do të defaktorizohet politika e jashtme e kryeministrit!

Dikush, ndoshta, e di si do të zgjidhet problemi Kosovë-Serbi. E, ata që e dinë po heshtin dhe po qojnë urime për kryeministrin në ardhje, Albin Kurtin…

Sa ia duan ardhjen në kolltuk e dinë ata, por sa ia duan rënien mbetët të shihet…

Klanit politik që e ka sjellë Kosovën deri në këtë gjendje qe 20 vjet, i ka rënë shiu në kallamoq!

E, çka do që nuk do të zgjidhet konform interesit të tërësisë territoriale të Kosovës në kufijtë aktualë, përgjegjës do të jetë qeveria.

Të tjerët përsëri janë gati të vijnë dhe t’i vazhdojnë autostradat…

Andaj, qeveria e ardhme ka shumë sfida, si, bie fjala, taksa, reciprociteti, dialogu, tërësia territoriale e shtetit, të cilat janë ambicie për t’u ruajtur, por që nuk është tërësisht në dorën e tyre.

Sidoqoftë, rreth Albin Kurtit nuk do të jenë ujqërit politikë, se ne i njohim përafërsisht se kush mund të jetë në kabinetin qeveritar. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË